Memli Krasniqi: Albin Kurti në Bruksel e inkriminoi Kosovën

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, është treguar i ashpër duke folur për Deklaratën për Personat e Zhdukur, për të cilën Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiqi u pajtuan më 2 maj në Bruksel.

Krasniqi e cilësoi si shumë problematike periudhën kohore e cila mbulohet nga kjo Deklaratë.

“Këtu janë dy probleme të mëdha, e para nuk e kuptoj logjikën e kryeministrit që po e përsëritë në dy raste që ‘personat e zhdukur brenda periudhës kohore 1 janar 98 dhe 31 dhjetor 2000’, një vit e gjysmë pas luftës, çfarë inkriminimi i bën Kosovës dhe shqiptarëve ky njeri? Kjo është logjikë anti-historike të cilën nuk ka mundësi ta arsyetoj, sepse lufta ka përfunduar në Kosovë”, tha Krasniqi në Rubikon të Klan Kosovës.

Tutje, Krasniqi theksoi se problemi themelor i Deklaratës është fakti se e barazon palën kosovare dhe atë serbe në konflikt.

“Problemi tjetër është barazia e palëve, nuk mund ta mohojmë faktin që ka edhe serb të zhdukur në mesin e 1617 ende të pagjeturve, por nëse kërkohet që palët t’i shkëmbejnë të dhënat, dokumentet, informatat, kjo Kosovë që Kurti në emër të saj e ka pranu këtë deklaratë ekziston nga 17 shkurt të vitit 2008 dhe si e tillë nuk ka ekzistu në periudhën për të cilën janë dakordu, andaj duhet të kishte mos pranim të këtij definicioni, sepse po na bën palë të barabarta në konflikt”, tha Krasniqi.