Memli Krasniqi

Memli Krasniqi: 1 tetori 1997 ishte kambana që lëkundi themelet e Jugosllavisë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, kujtoi sot protestat studentore të 1 tetorit të vitit 1997 për të cilën tha se u shndërrua në protestë gjithëpopullore që lëkundi themelet e Jugosllavisë së atëhershme.

“Në ballë të kësaj proteste të madhe studentore, para 25 vitesh, do të gjendej Rektori i Universitetit të Prishtinës, Prof. Ejup Statovci dhe personeli akademik, që bashkë me studentët e nën organizimin e UPSUP, shfaqeshin si kurrë më parë, të bashkuar, të vendosur dhe me një zë kundër shtypjes dhe regjimit autoritar të Millosheviçit”, ka shkruar Krasniqi në faqen e tij në Facebook.

Ngritja e mijëra qytetarëve atë ditë, sipas Krasniqit, dërgoi sinjalin e qartë tek secili se liria po zinte vend në zemrën e çdo atdhetari, kundër çdo denigrimi që i bëhej popullit të Kosovës.

“Këmbana që zgjoi vetëdijen liridashëse edhe në Prishtinë me 1 tetor, bëri që shumë studentë e studente të kapnin armët dhe t’i bashkoheshin radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – në shërbim të idealit të çlirimit. Nderim i përjetshëm të gjithë kontribuuesve për lirinë e Kosovës!”, tha Krasniqi.