Ministria e brendshme e Meksikës ka thënë se ky vend do t’i dëbojë rreth 500 imigrantë të cilët tentuan ta kalojnë me dhunë kufirin mes Meksikës dhe SHBA-së. Ky grup u izolua pasi u përpoqën që ta kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme, thuhet në deklaratën e ministrisë.
Në disa pamje të publikuara, shihen shumë njerëz, përfshirë gra dhe fëmijë, duke vrapuar drejt rrethojës që i ndan dy shtetet, afër qytetit Tijuana. Në anën tjetër, zyrtarët amerikanë të kufirit përdorën gaz lotsjellës për t’i ndalur dhe shpërndarë ata. Ministri i brendshëm tha se rreth 500 veta kanë provuar ta kalojnë kufirin me dhunë, ndërsa do t’i dëbojnë të gjithë ata që identifikohen.
Në deklaratën e ministrisë thuhet se, përpos që imigrantët nuk e kanë arritur qëllimin e tyre, veprimet e tyre e kanë shkelur kornizën ligjore për imigrantët dhe kanë mundur të shkaktojnë incidente serioze. Imigrantët kishin arritur në fillim të këtij muaji, pasi kishin udhëtuar për më shumë se 4 mijë kilometra nga Amerika Qendrore.
Imigrantët thonë se u larguan nga shtëpitë e tyre për shkak të përndjekjeve, varfërisë dhe dhunës në Honduras, Guatemala dhe El Salvador. Sidoqoftë, ata tash duhet të presin për një kohë të gjatë, për ta parë se a do të pranohen aplikimet e tyre për azil në SHBA. Presidenti Donald Trump ka thënë se asnjë imigrant nuk mund ta kalojë kufirin pa u publikuar vendimi i gjykatës dhe kjo mund të zgjasë disa muaj, shkruan “The Guardian”,







