Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Armend Mehaj po merr pjesë në Samitin e ISOA-s në SHBA.
“Sot, në kuadër të sesionit për Evropën, në Samitin e ISOA 2021, në cilësinë e Ministrit të Mbrojtjes, kam prezentuar bashkë me Komandantin Suprem të Komandës së Transformimit të NATO-së, Gjeneral Paolo Ruggiero, ish-Ambasadorin Amerikan, z Michael Ussery, dhe Drejtorin për Zhvillim në Qendrën për Vlerësime Strategjike dhe Buxhetore, z.Bill Bodie. Gjatë sesionit për Evropën kam prezantuar historikun e shtet-ndërtimit të Kosovës, fazën kur Kosova ishte konsumuese e paqes e deri tek roli i Kosovës si kontribuese në sigurinë dhe paqen globale të dëshmuar ne pjesëmarrjen në misione paqeruajtëse ndërkombëtare”, ka thënë ai.
Gjithashtu, ai ka theksuar se Qeveria e Republikës së Kosovës ka luajtur rol të rëndësishëm, kur ka prioritizuar mbështetjen e NATO-s në operacionin humanitar për pranimin e refugjatëve afganë të udhëhequr nga Ushtria Amerikane.
“Poashtu, prezantova objektivat qeveritarë për qeverisjen e mirë, transparencën si dhe fokusin në zhvillimin ekonomik dhe mekanizmat e sigurisë. Me theks, gjithashtu kam prezantuar potencialin ekonomik të Kosovës për të atraktuar industrinë ushtarake, ku vendi ynë të jetë qendër rajonale për zhvillimin e kësaj industrie, krahas prezentimit të ofertës dhe rëndësisë së bazës së përhershme të ushtrisë amerikane në Kosovë. Me këtë rast, kam marrë konfirmimin nga Asociacioni Ndërkombëtar për Operacione të Stabilitetit se gjatë muajit Dhjetor 2021, konferencën e radhës së prodhuesve më të mëdhenj botëror të industrisë ushtarake, do ta organizojnë në Kosovë. Me këtë rast, ministritë e linjës që kanë në portofolion e tyre zhvillimin ekonomik do të konsiderojnë mundësitë potenciale ekonomike për zhvillimin e industrisë prodhuese ushtarake”, ka thënë ai. /Ballkani.info/







