Mehaj: Ndryshim plotësimi i Ligjit për Ministrinë e Mbrojtjes garancë që jemi në rrugën e duhur

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, thotë se qëllimi i tij kryesor strategjik që nga marrja e postit ka qenë reformimi i sistemit organizativ dhe funksional në këtë ministri.

“Qëllimi im kryesor strategjik, që prej marrjes së detyrës së Ministrit të Mbrojtjes, ishte reformimi i sistemit organizativ dhe funksional i Ministrisë së Mbrojtjes dhe sistemit operacional të FSK-së, sipas praktikave më të avancuara legjislative të vendeve anëtare të NATO-s”.

Mehaj thotë se ndjehet i lumtur që Qeveria e Kosovës ka aprovuar propozimin e tij ndryshim plotësimin e ligjit për Ministrinë e Mbrojtjes teksa vlerëson se kjo tregon se janë në rrugën e duhur.

“Prandaj, ndjehem i lumtur që në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, është aprovuar propozimi im për përfshirjen në planin legjislativ të Qeverisë edhe ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për Ministrinë e Mbrojtjes, Ligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ligjin për Shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës”.

“Krahas këtij vendimi përgëzoj kabinetin qeveritar edhe për shqyrtimin dhe miratimin e Projektligjit për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, që do të rregullojë bashkëpunimin me forcat ushtarake të vendeve partnere të Republikës së Kosovës”.

“Këto vendime, krahas aktiviteteve të shumta në Ministrinë e Mbrojtjes, me angazhim intenziv të stafit, gjithë personelit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe SHP të FSK-së, në bashkëpunim dhe koordinim të shkëlqyeshëm me oficerët e NALT-it, këshilltarëve bilateral të vendeve partnere, ekspertëve amerikan të ISG-së, KFOR-it, etj, janë garanci e fuqishme se jemi në rrugën e duhur për realizimin e qëllimeve tona strategjike dhe objektivave operacional”.

“Arritësit më të mëdhenj në botë kanë qenë ata që kanë qëndruar gjithmonë të fokusuar në qëllimet e tyre dhe kanë qenë të palëkundur në përpjekjet e tyre.” thotë Dr. Roopleen”, ka shkruar Mehaj në rrjetin social Facebook.