Kosovë

Mediumi rumun: Craiova i ofroi 250 mijë euro për Muhamet Hysenin para se ta transferonte Blesan

University of Craiova e shihte si urgjente transferimin e një sulmuesi në ditën e fundit të afatit kalimtar të janarit.

Klubi rumun “peshkoi” në Kosovë duke e pasur parasysh se Superliga e këtushme është bërë shënjestër e klubeve rumune së fundmi.

Sipas mediave rumune, klubi elitar i këtij shteti ia kishte vënë syrin Muhamet Hysenit të Llapit.

Sipas “GSP.ro”, klubi rumun ishte i gatshëm t’i paguante 250 mijë euro për kartonin e 23 vjeçarit, të cilat do t’i përfitonte klubi llapjan, përcjell “Gazeta Express”.

Gjithnjë duke u bazuar në mediumin rumun, përfaqësuesi kosovar do ta merrte një rrogë mujore afro 10 mijë euro, ndërsa do të nënshkruante kontratë për tri vjet e gjysmë.

Sidoqoftë, ky transferim nuk u realizua dhe në “last-minute” CSU Craiova arriti t’i siguronte shërbimet e sulmuesit tjetër të Superligës së Kosovës, Jalen Blesa.

Përkundër problemeve me dokumentacion për shkak të ndërprerjes së rrymës, prishtinasit më në fund arritën ta bënin të mundur transferimin e sulmuesit amerikan në klubin rumun.

Ndërkohë, Hyseni qëndroi tek Llapi, me të cilin synon ta fitojë titullin e kampionit të Kosovës, të parin në histori të klubit.

Ai është sot sulmuesi më i mirë në Superligën e futbollit me 14 gola dhe me dy asistime nga 20 ndeshje të zhvilluara në të gjitha garat.

Viti 2023 ishte përrallor për Hysenin, i cili debutoi me Kombëtaren e Kosovës dhe ia doli ta shënonte golin e barazimit ndaj Zvicrës në kualifikimet për Euro 2024.