Gazeta turke “Dünya Bületini” dhe portali turk “Balkan Günlüğü” po e paralajmërojnë një ofensivë të FETO-s kundër politikanëve të afërt me Erdoganin edhe në Kosovë.

Përmes shpërndarjes së artikullit të gazetarit Omer Jashari me titull “Ndikimi i FETO-s në Ballkan: FETO në Kosovë në ndjekje të puçit”, shumica e mediave turke pretendojnë se organizata e Fetullah Gulenit ka gjasa të bëjë “puç të njëjtë si ai i 17-25 dhjetorit 2013 në Turqi” edhe në Kosovë dhe kjo, sipas tyre, është një prej çështjeve më të rëndësishme që e sfidon shtetin e ri të Kosovës.

“Organizata FETO ka krijuar një rrjet të madh në fushën e ekonomisë, mediave, arsimit, shëndetësisë, sigurisë dhe kulturës në Kosovë. Nuk kanë mundësi që në Kosovë të bëjnë një puç ushtarak, si ai i 15 korrikut 2016. Por, kanë mundësi që të bëjnë puç të njëjtë si ai i 17 dhe 25 dhjetorit 2013 dhe kjo është një prej çështjeve më të rëndësishme që sfidon shtetin e ri të Kosovës”, shkruajnë mediat turke, transmeton Ballkani.info.

Sipas tyre, institucionet arsimore të FETO-s paraqesin një problem serioz për rininë dhe gjeneratat e reja të Kosovës.

“FETO është duke bashkëpunuar me shumë institucione në fushën e ekonomisë. Është duke u munduar të marrë nën kontroll ekonominë e Kosovës, duke filluar prej sektorit të ushqimit e deri në industrinë e rëndë. Edhe gjyqësori është fushë tjetër në Kosovë, ku FETO është strukturuar”, shkruan “Dünya Bületini” dhe “Balkan Günlüğü”.

Këto media turke thonë se FETO po i jep rëndësi të madhe edhe gjyqtarëve dhe avokatëve, duke i përdorur për interesat e organizatës njerëzit e ri të fushës së drejtësisë.

“FETO është duke financuar që një kohë të gjatë televizione të Kosovës, me qëllim të dominimit në opinionin publik, që të marrë përkrahje për operacione të ndryshme”, pretendojnë mediat turke.

Autoritetet shtetërore në Turqi e kanë akuzuar gjithnjë organizatën FETO se nëpërmjet shkollave, qendrave edukativo-kulturore, organizatave profesionale apo nën petkun e OJQ-ve sistemon fshehurazi njerëzit e saj në institucione strategjike me synimin e marrjes nën kontroll të pozitave të rëndësishme në shtete të ndryshme.

Përmes anëtarëve të cilët që nga fëmijëria i kanë nën kontroll dhe i kanë sjellë në funksione aktive, sipas autoriteteve turke, njerëzit e FETO-s duan të dizajnojnë shtete, shoqëri, madje edhe vetë botën në bazë të ideve të liderit të tyre të cilin e quajnë “imam i gjithësisë”.

Posaçërisht në dhjetë vjetët e fundit, sipas autoriteteve turke, përmes gjykatësve, prokurorëve dhe efektivëve të sigurisë, njerëzit e Gulenit kanë dënuar në bazë të dëshmive të rreme një numër të konsiderueshëm ushtarakësh, policësh, gazetarësh, akademikësh dhe shkrimtarësh, të cilët i kanë parë si pengesë për qëllimet e tyre, duke synuar në këtë mënyrë të marrin nën kontroll të gjitha pozitat shtetërore.

Duke e konsideruar veten mjaft të fuqishëm për të marrë nën kontroll sistemin, sipas autoriteteve turke, përpjekjen e parë për grushtet organizata FETO e ka ndërmarrë në muajin shkurt të vitit 2012, kur tentoi të arrestonte Hakan Fidanin, shefin e Organizatës Kombëtare të Inteligjencës (MIT), me pretekstin e punës së tij në zgjidhjen e “çështjes kurde”. Gjatë 17-25 dhjetorit 2013, sipas tyre, ata kanë tentuar për të dytën herë grushtetin, duke bërë përpjekje që të arrestojnë edhe anëtarët e qeverisë në bazë të pretendimeve të pavërteta. /Ballkani.info/

Linqe: https://www.dunyabulteni.net/analiz/balkanlarda-feto-etkisi-feto-kosovada-darbe-pesinde-h432099.html
https://balkangunlugu.com/2018/11/05/feto-kosovada-darbe-pesinde-mi/