Mediat serbe tentojnë të tensionojnë situatën në veri

Portali serb Telegraf ka shkruar rreth një organizimi të mundshëm në urën e lumit Ibër, që ndan Mitrovicen veriore me atë jugore.

Sipas këtij portali, shqiptarët e Mitrovicës së jugut janë duke planifikuar të organizojnë një marsh paqësor, por sipas tyre kjo mund të cënojë sigurinë e komunitetit serb në atë pjesë, transmeton ballkani.info.

“Sipas informatave që kemi, ka pasur një ngritje tensionesh në takimin mes kryetarit serb të Mitrovicës veriore dhe kryetarit shqiptar të pjesës jugore, takim ky që ishte organizuar nga shefja e zyrës së BE-së në Prishtinë, Natalia Apostolova”, shkruan telegrafi serb.

Kryetari i Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri, supozohet se ka kërkuar nga kryetari serb i veriut të lejohet një vizitë nga shqiptarët në mënyrë që të simbolizohet paqja mes komuniteteve, gjë të cilën e ka kundërshtuar Goran Rakiq.

Kujtojmë se tensionet mes shteteve fqinjë ishin ngritur që nga vizita e fundit e presidentit kosovar, Hashim Thaçi në liqenin e Ujmanit, gjë që u përcoll me shumë kritika të ashpra nga mediat serbe.