Nxisin trazira

Mediat serbe propagandojnë për “fletëthirrjen” e shpërndarë nga kriminelët serbë në Mitrovicë, ua atribuojnë shqiptarëve (Foto)

Strukturat paralele serbe në veriun e Mitrovicës, në përpjekje e sipër për ta destabilizuar situatën politike atje, dje janë parë duke ngjitur pamfleta propaganduese në gjuhën shqipe afërsi të Urës së Ibrit, duke ua atribuuar gjoja një mobilizimi shqiptar.

Në këtë pamflet të shpërndarë thuhej se “kjo është pikënisje e ngritjes së vëmendjes për mbrojtjen e trojeve shqiptare”.

Aty bëhej thirrje për organizim të shqiptarëve nga fshatrat e veriut, si dhe komunat e Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Ballkani.info ka raportuar dje për këtë përpjekje të radhës së strukturave dhe kriminelëve serbë në veriun e Mitrovicës për të nxitur trazira ditën e sotme, kur edhe do të votohet për krijimin e Ushtrisë së Kosovës.

Nga organet e sigurisë së Kosovës, të cilat po përkujdesën gjatë gjithë kohës për ruajtjen e stabilitetit në këtë pjesë të Kosovës, Ballkani.info dje ka siguruar edhe pamjet kur Nemanja Joksimoviq, një serb i lidhur me strukturat paralele në veri dhe i dirigjuar drejtpërdrejtë nga pushteti në Serbi, e ka ngjitur një pamflet të tillë ku i bëhet thirrje shqiptarëve për mobilizim te Ura e Ibrit.

Por, kësaj propagande serbe si duket i janë bashkuar edhe mediat lokale në Mitrovicën e Veriut dhe në tërë Serbinë.

Mediumi serb “Kossev” ishte i pari që kishte propaganduar menjëherë për “shfaqjen e fletëpalosjeve në jug të Mitrovicës”.

Sipas raportimit të këtij mediumi serb, të cilin e kanë shpërndarë shumë media në Serbi, në këto fletëpalosje u bëhet thirrje qytetarëve, të cilët, siç thonë ata “ndjejnë gjakun shqiptar në venat e tyre”, për t’u organizuar dhe patrulluar në fshatin Çabër, Vllahi dhe në fshatarët Lipar, Boletin, ZAZ, Kushtovë, Bistricë, Suhodoll, te Ura e Ibrit dhe vendbanimet e Tre Soliterëve.

Kossev vazhdon me propagandën serbe, duke theksuar se “grupi bën thirrje për mobilizimin e shqiptarëve”, si dhe duke iu referuar organizatës, gjoja këta njerëz “shënuan territorin” që supozohej se do ta “ri-pushtonin”. /Ballkani.info/