“Kosova do të jetë një shtet ligjor, me qytetarë të barabartë, ku barazia dhe prosperiteti do të garantohen për të gjithë… Asnjë incident nuk mund të kërcënojë sundimin e ligjit në Kosovë”, tha ministri i Policisë së Kosovës, Xhelal Sveçla (53) pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Kështu e nis tekstin e përditshmja e pavarur serbe, Danas me autor Vojkan Ristiq për profilin e ministrit kosovar të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, transmeton Ballkani.info.

Teksti vazhdon tutje me deklaratën e Sveçlës pas asaj që ndodhi në veri të Kosovës se “frymëzimi, përkrahja dhe urdhri për këtë akt kriminal ka ardhur nga ish-ministri i Propagandës në kohën e Sllobodan Millosheviqit, Aleksandar Vuçiq. Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë. Serbia në krye me Vuçiqin jo vetëm që nuk e pranon këtë fakt, por lavdëron kriminelët e luftës. Dëshmia e qëndrimit të saj të pandryshuar është vetë planifikimi i aktit të hedhjes së bombës”.

Në qarqet shqiptare në Kosovë, Xhelal Sveçla njihet si bashkëpunëtor besnik i kryeministrit Albin Kurti, të cilin e njeh që nga koha e studimeve. Studimet për stomatologji i filloi në Prishtinë, ndërsa ato i mbaroi në fakultetin në Tiranë. Ai ka qenë anëtar i Partisë Politike “Vetëvendosje” që nga themelimi i saj.

Ai ishte një nga organizatorët e demonstratave studentore në vitin 1990 kundër forcave të sigurimit shtetëror të RFJ-së së atëhershme në Prishtinë, kur “konfirmoi” miqësinë me Kurtin. Që atëherë, ai filloi të angazhohej aktivisht në politikë dhe iu bashkua lëvizjes për pavarësinë e Kosovës. Ai bëhet një nga njerëzit kyç në Unionin e Pavarur Studentor të Universitetit të Prishtinës. Pas formimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), veshi uniformën dhe mori pjesë në beteja që nga viti 1998.

Ai njihet si një luftëtar radikal për pavarësinë e Kosovës dhe qëndrime të tilla i ka shprehur edhe si deputet. Ai ishte gjithashtu zëvendësministër i punëve të jashtme dhe ushtrues detyre i kreut të diplomacisë – Këtu është një huqje e Danas-it (përmirësim nga Ballkani.info) – Sveçla ishte zëvendësministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë Kurti I.

Prandaj, në varësi të situatës aktuale, ai mund të përshtatë retorikën e tij në mënyrë që të fitojë përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare për politikën e kabinetit të Kurtit, anëtar i të cilit është edhe ai.

Shqiptarët do t’ju thonë për ministrin aktual të policisë se ai “i shijon situatat emergjente dhe nuk e humb rastin të sulmojë qeverinë aktuale në Beograd”. Të tilla janë deklaratat e tij të shpeshta me kërkesën që “Mbrojtja Civile të shpallet organizatë terroriste”. Kur zbut retorikën e dhunës, ai e përdor atë për të “thirrur serbët që të integrohen në institucionet e Kosovës”.

Xhelal Sveçla e ka zëvendësuar pallton e bardhë dentare shumë kohë më parë, fillimisht me uniformën e UÇK-së, e më pas me uniformën e policisë. Prej kohësh kishte harruar dhëmbët e kalbur, përfundon teksti i autorit Ristiq për ministrin kosovar të Policisë. /Ballkani.info/