Dita historike

Mediat në Serbi për Ushtrinë e Kosovës “Dita D”: Thaçi në uniformë, Vuçiq në jug të Serbisë

Vetëm pak orë para miratimit të ligjit, i cili do të mundësojë themelimin e Ushtrisë së Kosovës, mediat në Beograd, ditën e sotme e kanë cilësuar si “Ditën D”.

Mediat serbe shkruajnë se presidenti Hashim Thaçi tashmë e ka veshur uniformën e ushtrisë së Kosovës.

“B92” shkruan se presidenti serb Vuçiq ndodhet në zonë tokësore të sigurisë më Kosovën, ndërkaq ish-shefi i të ashtuquajturit Trup Koordinues për Kosovë dhe Metohi, Nebojsha Çoviq pohon se është KFOR-i ai që duhet të druajë për situatën në Kosovë, transmeton Ballkani.info.

Çoviq thotë se transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovë në Forcë të Armatosur të Kosovës nënkupton, në thelb, formimin e ushtrisë.

Ai thekson se Prishtina po e përdorë një formulim të tillë për ta maskuar shkeljen e Kushtetutës së tyre, sepse edhe sipas këtij dokumenti, por edhe sipas dokumenteve të tjera në fuqi të tillë, si Rezoluta 1244 dhe Plani i Ahtisaarit, thotë Çoviq, ekzistimi i forcave të armatosura të Kosovës është kundërkushtetues dhe i pamundur pa pranimin e komuniteteve pakicë.

Tutje, Çoviq thotë se, sipas të gjitha gjasave, Kosova do t’i formojë forcat e armatosura, “gjë që përbën destabilizim të madh jo vetëm të rajonit, por edhe më gjerë”.

Në pyetjen sesi do të duhej Serbia të reagonte, Çoviq shprehet: “Pala jonë qëmoti është dashur të ndërmerrte masa të reja – largimin e Listës Serbe nga Kuvendi i Kosovës. Kjo do të ishte një goditje ndaj Qeverisë së Haradinajt, sepse nuk besoj se tani në kohë kur Gjykata Speciale po merr frymë në qafën e tyre, ata do të mund të formonin një qeveri të pakicës”.

Serbia, sipas Çoviq, duhet të mbetet gjakftohtë, kurse në pyetjen sesi dhe a do të mund të reagonte ushtria e Serbisë, ai thotë: “Ushtria e Serbisë ka potencial për të vepruar, unë nuk do ta doja atë, por gjithçka ka kufi. KFOR-i në potencialin e tij në Kosovë nuk përbën problem, por shikuar më gjerësisht, është problem”, shkruajnë mediat serbe, transmeton Ballkani.info.

Çoviq thekson se e gjithë kjo situatë shkakton tensione të mëdha, porse nuk beson se serbët kanë arsye të frikësohen.

Ata, sipas tij, mund të jenë të brengosur, por më shumë do të duhej të druanin ata që janë në sanduiç, siç është KFOR-i.

/Ballkani.info/