Mediat serbe e cilësojnë si provokim postimin e Vlora Çitakut për “Game of Thrones”

Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, e ka krahasuar luftën ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me serialin e famshëm ‘Game of Thrones’.

Përmes një postimi në Facebook, Çitaku ka komentuar serialin që po thyen rekorde shikueshmërie në mbarë botën, duke e krahasuar atë me luftën në mes Kosovës dhe Serbisë.

“S’ka rëndësi kush ulet në fron, por e rëndësishme është kush ka triumfuar në luftë”, thuhet ndër tjerash në komentin e Çitakut të cilin e ka shkruar në gjuhën angleze.

Ky postim është parë si provokim nga mediat serbe, përcjellë Ballkani.info.

“Provokim i Çitakut: Beogradi dhe Prishtina si “Loja e Froneve”, shkruan tanjug, agjencia shtetërore serbeve e lajmeve. Më pas ky lajm është shpërndarë në të gjitha mediat serbe.

Postimi i plotë i ambasadores Çitaku:

Game of Thrones”! Pra, lufta e madhe është fituar.. dhe ajo është fituar nga House Stark. Tani, në rastin e Kosovës, Serbia është jashtë. Se kush ulet në fron.. me të vërtetë nuk ka rëndësi. Lufta e madhe është fituar! Sa për pjesën tjetër.. mirë nëse nuk na pëlqejnë ata, ne do t’i mundim ata.