Mediat serbe “e bëjnë të madhe” deklaratën e Veselit se Ushtria formohet më 14 dhjetor
Mediat serbe kanë reaguar pas deklaratave të Kryeparlamentarit Kadri Veseli, se Ushtria e Kosovës do të formohet me 14 dhjetor.
Gjatë ditës së sotme, Veseli përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka njoftuar se Ushtria e Kosovës këtë muaj, e këto deklarata kanë ngjallur reagime në Serbi.
Mediat serbe kanë theksuar se projektligjet për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë votuar më herët nga të gjithë deputetët e Parlamentit të Kosovës edhe pse deputetët e Listës Serbe nuk ishin prezent, ndërsa tash po pritet përmbyllja e kësaj procedure, përcjell Ballkani.info.
Kalimin e projektligjeve të Ushtrisë në Kuvendin e Kosovës e kishin kundërshtuar zyrtarë të lartë të shtetit serb duke akuzuar Kosovën se me këto veprime po e rrezikojnë stabilitetin e vendit.
Institucionet serbe kishin cekur se me formimin e Ushtrisë së Kosovës, Kosova po bën shkelje të Rezolutës 1244, Marrëveshjen e Kumanovës dhe Marrëveshjet e arritura në Bruksel.
Ndaj votimit për projektligjet e transformimit të FSK-së në Ushtri, kishin reaguar edhe Lista Serbe në Kosovë.
“Lista Serbe e kundërshton këtë aksion dhe bëjmë me dije se ne si deputetë nuk do të përkrahim kurrë një ndryshim të tillë ushtarak. Gjithashtu ne i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të reagojnë kundër këtyre veprimeve” kishin deklaruar Lista Serbe.
Kujtojmë se transformimin e FSK-së në Ushtri e kishin përkrahur shumica e zyrtarëve ndërkombëtar duke përfshirë këtu edhe zëvendës-sekretaren e përgjithshme të NATO-s, Rose Gottemoeller, e cila kishte thënë se NATO e mbështet formimin e Ushtrisë së Kosovës./Ballkani.info/