Mediat serbe citojnë Daut Haradinajn: Serbia me armatim të ndryshkur rus, Kosova me armatim amerikan

Mediat serbe kanë raportuar sot për deklaratat e deputetit të AAK-së, Daut Haradinaj të bëra mbrëmë në një emision.

Me titull: “Daut Haradinaj: Ushtria e Kosovës do të ketë armatimin më modern në rajon – nga SHBA”, këto media citojnë Haradinajn për deklaratat që kanë të bëjnë me Ushtrinë.

“Ushtria e Kosovës do të ketë armatimin më modern në rajon, kurse Serbia po merr armë të ndryshkuara nga Rusia”, ka thënë Haradinaj, transmeton Ballkani.info.

Po ashtu këto media citojnë edhe deklaratën e deputetit të AAK-së i cili tha se një ditë do të ketë marrëveshje me Serbinë dhe taksa do të hiqet.

“Edhe serbët janë të lodhur dhe duan marrëveshje. Ka pakënaqësi të madhe”, ka thënë mbrëmë Haradinaj për televizionin publik.

Ai po ashtu citohet të ketë thënë se Kosova nuk i ka bllokuar mallrat serbe, por vetëm i ka tatimuar 100 për qind.

Haradinaj foli edhe për marrëdhëniet me SHBA-të, duke thënë se ato nuk janë prishur dhe se qëllimi kryesor është njohja nga Serbia.

“Është a pasaktë që i kemi prishur marrëdheniet me Amerikën, atje kemi shumë miq dhe e dimë se si është situata”, ka thënë ai, citojnë mediat në Serbi. /Ballkani.info/