Gazetat serbe, të cilat zakonisht janë pro Vladimir Putinit kanë raportuar me entuziazëm për trupat ruse që “arritën në Kiev brenda një dite” duke e quajtur sulmin rus ndaj Ukrainës një “përgjigje ndaj kërcënimeve të NATO-s”.

Gazetat që mbështesin pushtetin e Aleksandar Vuçiqit, në ballinat e tyre të së premtes, përshëndesin pushtimin rus në Ukrainë, 24 orë pasi Putin filloi agresionin e tij ushtarak.

Informer dhe Alo udhëheqën me titujt duke pretenduar se, “Rusia arriti në Kiev brenda një dite”, derisa Objektiv thoshte “Rusët pushtuan Ukrainën brenda një dite”.

Titulli kryesor i Vecernje Novosti ishte “Grusht shtet rus në përgjigje ndaj kërcënimeve të NATO-s”.

Sprski Telegraf doli me titullin se, “Putini po përgatit ‘Satanin’ [raketën balistike ndërkontinentale ruse R-36] për Evropën”, shoqëruar me një foto të presidentit rus me uniformë ushtarake.

Gazeta Politika shfaqi titullin “Gjendje lufte në Ukrainë”, duke thënë se, “Putini miratoi një operacion për ‘çmilitarizim'”.

Ndërkohë Danas dhe Nova, të cilët shihen si kritike të regjimit, raportuan kryesisht për heshtjen e zyrtarëve serbë për sulmin rus ndaj Ukrainës.

Presidenti Vuçiq, një aleat i Putinit, i cili po kërkon gjithashtu anëtarësimin në BE, ende nuk e ka shpallur pikëpamjen e tij zyrtare për pushtimin rus të Ukrainës.

Ditë më parë, Informer shkoi aq larg duke publikuar një titull në faqen e parë që pretendonte se “Ukraina sulmon Rusinë”.

Më 22 shkurt, tabloidi Kurir botoi një titull duke pretenduar se “Rusia ka bërë gjithçka që mundet për paqen në Ukrainë”.

Kurse, 24 orë përpara fillimit të pushtimit rus, Vecernje Novosti kishte raportuar se, “Putin nuk po ndërton një perandori dhe se do të ishte më mirë që Kievi të hiqte dorë [dëshira për t’u bashkuar] me NATO-n”.

Në ditën e pushtimit, Informer citoi ish-presidentin amerikan Donald Trump duke thënë se, “Putini është një gjeni, ai na mashtroi të gjithëve”. Me përjashtim të Trumpit, Putin ishte i vetmi lider botëror i cituar në tabloidet pro-qeveritare në Serbi.

Kurir pohon se pas konfliktit “qëndron lufta për energjinë: Shtetet e Bashkuara e kanë përdorur konfliktin në përpjekje për të zbatuar një plan afatgjatë për të reduktuar varësinë e gazit nga Rusia”.

Për shkak të lidhjeve të forta të Serbisë me Rusinë, shumë nga titujt e medieve në vend kishin të bënin gjithashtu me hapat e ardhshëm të Beogradit për sa i përket përgjigjes ndaj luftës në Ukrainë. Vuçiq është i vetmi lider evropian që nuk ka mbajtur qëndrim për pushtimin rus, deri më tani.

Në mbrëmjen e njohjes nga Putini të dy territoreve separatiste në lindje të Ukrainës, Vuçiq tha se 80 për qind e medieve të Serbisë janë “gjithmonë, pavarësisht se çfarë ndodh, në anën ruse”, ndërsa “20 për qind, ata gjithashtu nuk kanë qasje të paanshme dhe objektive apriori janë kundër rusëve”.

Ai gjithashtu ka pohuar se Serbia është nën presion për t’iu bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Rusisë dhe shprehu shqetësimin për ndikimin në ekonominë e vendit.0