Me VV-në apo me LDK-në? Çka na zbuloi seanca e sotme për Vjosa Osmanin?

Derisa Kuvendi i Kosovës ka marrë një pauzë një-orëshe në seancën ku po debatohet për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, një gjë ndjell shumë pikëpyetje: qëndrimi i kryekuvendares, Vjosa Osmani.

Zonja Osmani ka deklaruar gjatë ditës së djeshme se nuk e përkrah mocionin e mosbesimit nga partia e saj, LDK, duke i dalë kështu kundër edhe një herë tjetër vendimeve të kryesisë së partisë.

Ndërkohë, në seancën e sotme zonja Osmani nuk ka thënë ende fjalën e saj. Por, ajo kishte ndërveprime edhe me deputetë të LDK-së e edhe me deputetë të VV-së.

Qysh në fillim të seancës, ajo u duk me nerva të acaruara derisa i bërtiti deputetit Arben Gashi që të mos bërtiste. Pastaj, ishte ndërveprimi me deputetin Haki Abazi, i cili i përmendi emrin duke transmetuar qëndrimin e saj – pas së cilës ajo reagoi me bërtimë duke i thënë edhe një herë “që të mos fliste në emrin e saj.”

Por, edhe deputetë të tjerë të VV-së dhe LDK-së morën guximin që të flisnin në emrin e saj për qëndrimin që e kishte dhënë. VV-ja i kërkonte LDK-së që ta respektonte të paktën personin më të votuar të partisë, e që ishte vetë zonja Osmani.

Por sërish, ajo reagoi duke thënë “të mos flasin asnjëherë tjetër në emrin e saj.”

Ndërkohë, para se seanca të shkonte në pauzë, ishte deputeti Anton Quni ai që mbajti një fjalim të gjatë e të fuqishëm që habiti të gjithë dhe mori edhe duartrokitjet e deputetëve të LDK-së.

Z.Quni deklaroi se si Veliu mund të përfundonte edhe ai nëse do të shprehte mendimin e tij personal. Ai përmendi kulturën e demokracisë brenda LDK-së ku kishte tolerancë për qëndrimin ndryshe. Madje, Quni tha se do ta përkrahte mocionin e mosbesimit të Qeverisë – edhe pse konsiderohet si krahu i djathtë i znj.Osmani brenda LDK-së.

Sidoqoftë, ai tha se Kurtit do t’i jepte një orë që të kthente vendimin për shkarkimin e Veliut në mënyrë që koalicioni të mos prishej.

Nga këto, del se znj.Vjosa Osmani nuk ka kaluar hatërmbetjet e saj me Vetëvendosjen, parti e cila e kishte ofenduar gjatë fushatës elektore me gjuhë madje edhe seksiste.