Me vendimin e PZAP-së për votat e partive minoritare, VV-ja e kalon 50 për qindëshin

Me vendimin e PZAP-së për anulimin e votave të partive boshnjake në komunat me shumicë serbe, e po ashtu të votave të subjektit Romani Iniciativa në komunat me shumicë serbe, partia e fituse e zgjedhjeve të 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, do të arrijë në 50.2 për qind.

PZAP ka marrë vendim që të anulojë në tërësi votat e partive boshnjake si: Ujedinjina Zajednica – Adriana Hoxhiq, Koalicioni – VAKAT, Social Demokratska – Unija SDU, Nova Demokratska Stranka, Nasha Iniciativa në komunat si Zubin Potok, Shtërpcë, Ranillug, Graçanicë, Partesh, Kllokot e Novobërdë, e pjesërisht i janë anuluar votat partisë së Hoxhiqit dhe VAKATIT në komunën e Zveçanit, Leposaviqit dhe Mitrovicës së Veriut.

Në total këtyre partive boshnjake i janë anuluar 4976 vota që janë zbritur nga regjistri final i zgjedhjeve.

E Romani Iniciativas i janë anuluar 837 fletëvotime në komunat si Leposaviq, Novobërdë, Ranillug, Kllokot e Partesh.

Në total janë anuluar 5813 fletëvotime nga numri total i 877.497 sa ishin llogaritur të vlefshme nga KQZ-ja.

Lëvizja Vetëvendosje ka mbledhur 438.334 vota, që para anulimit ishte me përqindje 49.95 për qind. Por me anulimin e votave, numri i përqindjes është rritur në 50.2.

PDK-ja arrin në 17 për qind, LDK-ja në 12.73 për qind, e AAK-ja në 7.12 për qind.

“Ankesat e hartuara nga Qendra për Ndihmë Juridike – IKD në interes të komuniteteve jo shumicë në Kosovë lidhur me shkeljen e të drejtës së përfaqësimit legjitim dhe efektiv janë miratuar sot nga PZAP-ja. Një fitore e madhe jo vetëm për Qendra për Ndihmë Juridike Falas e IKD, por fitore e madhe për promovimin e të drejtave dhe lirive të komuniteteve jo shumicë në Kosovë dhe rendit kushtetues dhe juridik. Ekipi fantastik i IKD-së do të vazhdojë në mënyrë proaktive të punojë drejt përmirësimit të sundimit të ligjit në Kosovë dhe promovimit te të drejtave dhe lirive të njeriut”, ka shkruar Ehat Miftaraj, drejtor i IKD-së.