Sanja Kërtiniq, anëtare e grupit nismëtar për shkarkimin e kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ka thënë se janë mbledhur më shumë se gjysma e nënshkrimeve të nevojshme.
Mbledhja e nënshkrimeve nisi sot në orën 9 në sallën e sportit dhe vazhdoi deri në orën 16:00.
“E patë se sa njerëz ishin sot në mëngjes, gjithçka ishte plot. Prandaj nuk arritëm të bëjmë ndonjë rezultat preliminar, por një vlerësim i lirë është se sigurisht kemi më shumë se gjysmën e nënshkrimeve të mbledhura”, tha Sanja Kërtiniq për KoSSev.
Nënshkrimi do të vazhdojë nesër dhe synimi i grupit që e ka iniciuar është që nëse është e mundur, të mbledhë më shumë se numri i kërkuar i firmave.
“Që nesër të mos kemi probleme me numrin e nënshkrimeve dhe të ngjashme”, shton ajo.
Këto nënshkrime do t’i dorëzohen Kryetarit të Kuvendit Komunal, për të vazhduar me procedurat tjera të shkarkimit.







