Më shumë se dy orë e gjysmë që nga rënia e Faebook-ut, Instagram-it e WhatsApp-it

WhatsApp, Instagram dhe Facebook të gjitha këto aplikacione kanë dalë jashtë sistemit në të gjithë botën.

Të trija aplikacionet që janë në pronësi të Facebook-it, kanë ndaluar të funksionojnë pak para orës 18:00 (sipas kohës lokale të Kosovës), shkruan Ballkani.info.

Po ashtu edhe aplikacionet tjera, pjesë e Facebook-it, si Facebook Workplace, kanë ndaluar së punuari.

Vizitorët e Facebook-ut e shohin një error apo e marrin një mesazh që nuk mund të konektohen.

Nuk dihet ende se cili është problem që këto aplikacione nuk po funksionojnë.

Shërbimi për mbikqyrjen e faqeve që bien Downdetector, thekson se ankesat e para kanë filluar të vijnë rreth orës 17 e 30 sipas kohës lokale të Kosovës.

Të gjitha këto aplikacione përdorin infrastrukturën e njëjtë, pra atë të Facebook-ut.

Shkaku ende mbetet i panjohur, ndërsa ankesat për pamundësinë e përdorimit të aplikacioneve janë rritur në orët e fundit.

Qindra miliona përdorues nga e gjitha bota nuk munden të kenë qasje në këto rrjete.

Kjo duket të jetë rënia më e gjatë që ka ndodhur deri më tash e Facebook-ut.

Siç njofton Techcrunch.com, është e qartë se deri tek rënia ka ardhur për shkak të problemeve me DNS (domain server name). Pra nëse tash kërkoni ta gjeni faqen Facebook.com, internet nuk e di ku ta gjejë këtë emër.

Shefi i komunikimit në Facebook, Andy Stone ka reaguar në Twitter për rrjetet sociale në pronësi të Facebook që kanë dalë jashtë funksioni prej rreth një ore.

“Ne po punojmë për t’i kthyer gjërat në normalitet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe kërkojmë falje për çdo shqetësim,” tha ai, pasi WhatsApp, Instagram dhe Facebook Messenger janë të gjitha në pronësi të Facebook.

Platformat më të klikuara të komunikimit me mesazhe janë bllokuar në të gjithë botën.

Në të tre platformat, problemi është në rifreskimin e faqes dhe kudo shfaqet mesazhi: “Nuk mund të shohësh përditësimin e faqes.”

Ndërkohë, përdoruesit i janë drejtuar rrjetit social Twitter për të treguar se aplikacionet më të mëdha të komunikimit kanë dalë jashtë funksionit pasi nuk dërgohen mesazhet. /Ballkani.info/