Më shumë se 30 persona po hetohen për fajde

Më shumë se 30 persona janë duke u hetuar për veprën penale të fajdeve në Kosovë.

Sipas drejtorit të krimeve ekonomike në Policinë e Kosovës, Bashkim Spahiu, janë 10 deri 12 informata që po trajtohen nga policia dhe si target për këto mund të jenë më shumë se 30 persona.

Në Puls të KTV-së ka thënë se është vështirë të flitet për një shifër të fajdexhinjve në Kosovë, por sipas tij shifra mund të sillet te 1000.

Ai ka thënë se kjo vepër penale është tejet shqetësuese. Megjithatë, sipas tij ka një indikator pozitiv sepse së fundmi ka pasur viktima që kanë bashkëpunuar me policinë. “Në të kaluarën ka pas raste që janë hetuar, kemi pas informacione se individët ishin viktima, por s’kanë bashkëpunuar e i janë shmangur hetimeve”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, Ibrahim Berisha zëvendëskryeprokuror në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ka thënë se viktima të fajdeve më së shumti janë personat në gjendje të vështirë ekonomike.

“Këta persona bien viktimë e fajdexhinjve. Kjo është forma më e rëndë që fajdexhinjtë e shfrytëzojnë rastin. Ka raste kur detyrohen me kamata mjaft të shtuara të bëjnë kthimin e të hollave. Kemi shqetësim për këtë”, ka thënë Berisha.

Nuredin Ibishi, ekspert i sigurisë, ka folur edhe për rrugën që, sipas tij, ka çuar te fajdetë.

“Si është shpikë fajdeja? Bankat pas luftës nisën me kamatë të lartë, deri në 12 për qind sa ishte interesi bankar. Edhe kjo është një lloj fajde. Këtu pësuan qytetarët. Këtu nisi të rrjedhë e keqja. Institucionet financiare përcaktuan norma enorme që s’janë në asnjë vend në rajon. Çka i shtyri njerëzit? Gjendja e rëndë, kushtet ekonomike. Një njeri mendon se mund t’i kthejë një ditë ato para, e nuk e di që te fajdexhinjtë kamata nuk është vjetore, por mujore apo më e shpeshtë. Më 2018 ka pas rast prej 1000 euro kishte shkuar në 24 mijë euro detyrimi. Ka pas tentim vetëvrasje në atë rast”, ka thënë ai.

Sociologu Fadil Maloku ka thënë se Kosova ka ligje shumë të mira për t’i luftuar rastet, por sipas tij mungon guximi.

“Mendoj që ligjet janë perfekt sepse i kemi kopjuar nga jashtë, por kanë harruar që “copy-paste” ka një defekt sepse mentaliteti jonë nuk është në koherencë me ligjet që janë sjellë. Në gjithë këtë sistem të analizës defektin kryesor e shoh te guximi për t’u përballur me rastet e tilla. Neve na duhet një kryeprokuror i guximshëm, gjyqësor e policia. Këto janë tri shtyllat kryesore për të luftuar këto dukuri. Pa këto kot flasim”, ka deklaruar ai.