“Më shpejt po ballkanizohet Evropa, se që po evropianizohet Ballkani”

Gazetari dhe autori britanik, Tim Judah, në një bisedë për “Kohën Ditore”, shprehet i brengosur për të ardhmen, për shkak se, siç thotë, ka lëvizje negative në të gjithë Evropën.

“Kosova dhe rajoni nuk ka kurrfarë mundësie t’i ndikojnë këto, por liderët e tyre mund të bëjnë dallimin e madh nëse do të vepronin së bashku dhe për të mirën e përbashkët. Kjo tingëllon sikur një banalitet, por është e vërtetë”, thotë ai. “Por… është po ashtu e mundur që nëse ata bashkëveprojnë do të mundë të punojnë për të mirën e tyre të përbashkët, dhe jo të rajonit”, thekson Judah, duke rikonfirmuar mosbesimin tashmë të shprehur në cilësitë e liderëve të rajonit.

Tutje, Judah flet edhe për perspektivën e integrimit në BE, e cila sikur e ka humbur drejtimin.

“Deri tani, integrimi në BE është parë si e ardhmja dhe si një mënyrë për t’u ballafaquar me trashëgimitë historike gjatë rrugës. Shpresoj se kjo ende është kështu, por e vërteta është se pjesa më e madhe e Evropës po bëhet e ballkanizuar më shpejt sesa që Ballkani po bëhet i evropianizuar”, thotë ai.

“Nuk e di nëse kjo kuptohet mirë në rajon apo nëse njerëzit e rëndomtë e kuptojnë këtë se ky është një kërcënim. Shumë liderë ballkanikë sigurisht se do të mirëprisnin integrimin në një Evropë, ku gjykatat dhe mediat udhëhiqen dhe kontrollohen njëjtë sikur edhe në vendet e tyre, sikur që është çdoherë e më tepër rasti në Hungari dhe Poloni”, thekson Judah, duke konkluduar me fjalët: “Nuk jam shumë optimist…”

loading…