Bas Martens, një avokat me përvojë të gjatë dhe i përfshirë në procese kontraverse gjyqësore në Holandë, mbrojti nënkryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinajn, në paraqitjen e parë të tij para një gjykatësi të Dhomave të Veçanta të martën.

Avokati holandez, në seancën e mbajtur sot, kërkoi lirimin e menjëhershëm të klientit të tij, i cili është arrestuar katër ditë më parë nën dyshimin për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje si dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Martens, në fjalën e tij tha se Gjykata Speciale është formuar për krimet e luftës dhe se nuk ka juridiksion për këto akuza që po i bëhen Haradinajt, raporton Gazeta Insajderi.

I licencuar si mbrojtës pranë Dhomave të Specializuara, Bas Martens është një avokat me përvojë të gjatë në këtë profesion.

Aktualisht ai ofron shërbime si avokat dhe këshilltar ligjor në Holandë. Ofron kurse dhe ndihmë në fushën e rregulloreve kundër pastrimit të parave. Ai e bën këtë punë në kuadër të instituteve të trajnimit, institucioneve shtetërore, por edhe në shtëpi dhe në biznese private me si avokatë dhe noterë të ligjit civil.

Bas është po ashtu partner në firmën juridike ‘Delissen Martens’, me bazë në Hagë të Holandës, aty ku është vendosur edhe Gjykata Speciale.

Martnes është avokat i specializuar në fushat e së drejtës penale dhe së drejtës ushtarake. Seksioni i së Drejtës Penale merret me çështjet penale financiare dhe ekonomike. Ndërkaq, në seksionin e së drejtës ushtarake, ushtarët dhe veteranët ndihmohen në rastet e problemeve shëndetësore, procedurave të kompensimit, çështjeve penale ushtarake dhe çështjeve të statusit ligjor.

Nga tetori i vitit 2012 deri në nëntor të 2015-s, Bas Martens ushtroi funksionin e udhëheqësit të Shoqatës së Avokatëve të Hagës. Ai ka qenë aktiv ndërkombëtarisht për një kohë të gjatë në Federatën e Avokatëve Evropian (FBE) – një organizatë me rreth 250 shoqata lokale të avokatëve.

Në vitin 2014, Martnes kishte shkaktuar bujë mediale dhe sidomos përrreth çarqeve juridike në Holandë si pasojë e një ballafaqimi ligjor që kishte nisur kundër një kolegu të tij avokat.

Martnes kishte kërkuar pezullimin e avokatit Meindert Stelling nga Shoqata e Avokatëve të Holandës, për të cilin pretendonte se kishte abuzuar me privilegjet e tij.

“Avokati që shan shan dhe fyen gjyqtarët, nuk është i pavarur dhe profesionist”, citohet të ketë thënë Martens në lidhje me procedurat ligjore që kishte nisur kundrejt kolegut të tij.