Ish-komandanti i UÇK-së dhe kandidati për deputet me numër 50, Daut Haradinaj ka kujtuar heroin Mujë Krasniqi, në prag të ditëlindjes së tij më 6 qershor, duke e cilësuar atë si një figurë të përjetshme në historinë e luftës për lirinë e Kosovës.
Përmes një postimi, Haradinaj ka treguar se së bashku me Ali Gashin, të cilin e ka cilësuar si krahun e djathtë të Mujë Krasniqit, si dhe me bashkëluftëtarë e miq të tjerë, kanë nderuar kujtimin e mikut të tyre të përbashkët, të njohur si “Kapuçi”.
Ai ka rikujtuar rrugëtimin e përbashkët me Mujë Krasniqin në periudha të rëndësishme të rezistencës dhe luftës çlirimtare, duke veçuar 28 Nëntorin e vitit 1997 si një datë historike.
“Me Mujën në mes, e Rexhën në krah, 28 Nëntori i 1997 është dita që na bëri një, botërisht, një popull që kërkon liri me çdo kusht, pa kursyer asgjë, një popull UÇK”, ka shkruar Haradinaj.
Sipas tij, kujtimi për Mujë Krasniqin mbetet i gjallë jo vetëm si kujtim i një shoku dhe bashkudhëtari, por edhe si simbol i përkushtimit dhe sakrificës për lirinë e Kosovës.
Në fund të mesazhit të tij, Haradinaj ka shprehur nderimin për heroin e kombit me fjalët: “Lavdi, Hero”.







