“Me Lumirin kryetar, LDK-ja do të mbërrinte lehtësisht 29% të votave në zgjedhje”

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), është shprehur i habitur se si Lumir Abdixhiku, anëtar i LDK’së, nuk është kryetar i kësaj partie.

Miftaraj, përmes ‘Facebook’-ut, ka thënë se një figurë e tillë në krye të LDK’së do të ngriste përqindjen në zgjedhjet qëndrore.

“Une nuk kuptoj pse Lumir Abdixhiku nuk eshte Kryetar i LDK-se. Une e kam bindjen se LDK me Lumirin Kryetar partie dhe kandidat per Kryeminister 26 deri 29% te votave lehte do te ishte nje realitet i arritshem”, ka shkruar ai.

Abdixhiku është shfaqur në skenën mediatike pas disa muajsh për herë të parë në ‘Pressing’, ku ka folur lidhur me koalicionin mes LDK’së dhe LVV’së.

Ai ka folur edhe për arsyen që çoi tek përçarja e këtij bashkëpunimi politik, respektivisht shkarkimin e Ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliut, nga ana e ish-kryeministrit, Albin Kurti.

“Ne kemi diskutuar në një mbledhje lidhur me kompetencat e kryeministrit. Në atë mbledhje kanë qenë të pranishëm Besnik Bislimi, Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu, Lutfi Haziri, Avdullah Hoti dhe unë. Në mbledhjen e shtatë kemi diskutuar për këtë situatë hipotetike. Mirëpo nëse kryeministri e shkarkon një ministër pa na njoftuar… është thënë se nëse vjen puna deri aty, duhet të ndërpritet bashkëpunimi”, ka sqaruar Abdixhiku sonte. /Ballkani.info/