Me “certifikatat e gjelbra”, BE-ja shpreson t’i lehtësojë udhëtimet

Gjermania shpreson se do të arrihet shpejt një marrëveshje për certifikatat e COVID-19, që do t’ua lejonin qytetarëve të udhëtonin më lirshëm përbrenda Bashkimit Evropian, në kohën kur gjithnjë e më shumë shtete po rihapen pas uljes së numrit të infektimeve në prag të pushimeve veriore.

Ministrat e çështjeve evropiane janë takuar të martën në Bruksel për të diskutuar hollësitë e asaj që po quhet “certifikatë e gjelbër”, të cilën BE-ja shpreson që ta paraqesë në qershor, por që ende nuk është arritur një ujdi ndërmjet Komisionit Evropian, euro-deputetëve dhe qeverive anëtare të BE-së.

Ministri gjerman për Evropë, Michael Roth, u ka thënë gazetarëve se shpreson se çështja do të zgjidhet brenda javësh. Ai ka theksuar se kjo nuk është e rëndësishme vetëm për vendet e varura nga turizmi veror, por për të gjithë qytetarët e bllokut. Gjermania i sheh certifikatat e gjelbra si shenjë për liri të lëvizjes në Bashkimin Evropian. Disa prej shteteve anëtare tashmë kanë filluar me hapjen e ekonomive të tyre, pas përshpejtimit të procesit të vaksinimit dhe rënies së shifrave të rasteve me koronavirus.