Më 29 nëntor fillon intervistimi i 21 kandidatëve për drejtor të Agjencisë kundër Korrupsionit

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen Agjencisë kundër korrupsionit ka njoftuar se më 29 nëntor do të fillojë intervistimi i 21 kandidatëve për pozitën e drejtorit të Agjencisë kundër Korrupsionit.

Deputeti i LDK-së Driton Selmanaj tregoi në detaje për punën dhe raportin lidhur me aplikacionet e pranuara për pozitën e drejtorit të kësaj agjencie.

“Ne më datën 21 kemi shqyrtuar aplikacionet për pozitën e drejtorit te Agjencisë kundër korrupsionit. Nga 25 aplikacione, katër prej tyre nuk i kanë plotësuar kriteret për të vazhduar tutje ndërsa të tjerët do të vazhdojnë tutje. Kemi punuar për rreth 7 orësh për t’i shikuar në detaje këto aplikacione”, tha Selmanaj.

Të pranishëm në këtë komision në mënyrë online ishin edhe përfaqësues nga ambasada britanike që janë duke monitoruar këtë proces.

Kryetari i Komisionit Adnan Rrustemi tha se data e mbajtjes së intervistimit do jetë më 29 nëntor, ndërsa faza për trajnimin e anëtarëve të Komisionit do të vendoset ditëve në vazhdim./EO