“Më 28 nëntor do të përfundohet shtrati i lumit Mirusha”

Gjatë vizitës së punimeve në ndërtimin e pjesës së epërme të shtratit të lumit Mirusha kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri dhe ministri i Mjedisit, Fatmir Matoshi, kanë konfirmuar se më 28 nëntor do ta ketë fundin ky projekt.

“Problemit më të madh për 55 mijë banorë që jetojnë përreth lumit Mirusha, po i vije fundi. Tregimi i madh për Mirushën po mbyllet për çka e falënderoj ministrin Matoshi për mbështetjen. Në të njëjtën kohë, po punojmë në ndërtimin e shtratit dhe platosë prej 3.5 kilometrash. Mbi të gjitha, krijohet hapësirë për qytetarët dhe shpresojmë që më 28 nëntor do t’i japim fund këtij projekti”, ka thënë Haziri.

“Në po punojmë që në kuadër të projektit, ta integrojmë edhe kampusin e shkollave të mesme, tregut të gjelbër dhe stadiumit. Këto projekte përfundimisht i japin pamjen urbane të qytetit dhe i zgjidhin të gjitha problemet e trashëguara.”, tha Haziri.

Ministri i Mjedisit, Fatmir Matoshi, tha se meritore për këtë intensitet të punimeve është Komuna e Gjilanit dhe kompania kontraktuese.

“Kemi filluar që nga gushti i vitit të kaluar që të punojmë në këtë projekt intensivisht dhe për këtë është meritore Komuna e Gjilanit që po e mbikëqyrë dhe kompania kontraktuese. Është një përkushtim i Ministrisë së Mjedisit që të vazhdojë ta mbështesë me mjete financiare këtë projekt deri në përfundim. E mira është që kanalizimet janë të vendosura anash dhe shtrati shërben vetëm për ujërat atmosferike”, është shprehur Matoshi.