Më 19 maj deklarata jo nën betim e Salih Mustafës para trupit gjykues në Hagë

Trupi gjykues në rastin e Salih Mustafës e ka caktuar 26 majin si datë kur parashikon të mbyllet paraqitja e provave nga ana e mbrojtjes.

Gjyqtarja Mappie Veldt-Folgia e ka urdhëruar mbrojtjen e Mustafës që të njoftojë me shkrim se nuk do të paraqesë dëshmitarë apo materiale të tjera. Kryetarja e turpit gjykues ka bërë të ditur se deklarata jo nën betim e Salih Mustafës do të bëhet më 19 maj.

Trupi gjykues gjithashtu e ka përcaktuar të mërkurën e 25 majit si afat kohor për palët dhe mbrojtjen e viktimave të paraqesin kërkesat për të paraqitur prova materiale të përdorura gjatë pyetjeve përkatëse që ua kanë bërë dëshmitarëve të mbrojtjes të cilët kanë dëshmuar në prill dhe maj të këtij viti.

Urdhrat për seancat e ardhshme në gjyqin ndaj Mustafës, kryetarja e trupit gjykues i ka dhënë gjatë seancës që është mbajtur sot, ku është dëgjuar dëshmitarja e 15-të e mbrojtjes, Ibadete Canolli-Kaçiu.

Pas pyetjeve të mbrojtjes, dëshmitarja është përgjigjur në pyetjet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar rreth qëndrimit në Zllash nga 16-21 prill 1999.

Ajo ka pohuar se Salih Mustafa ishte komandant i BIA-s, ndërsa ka shtuar se i njëjti është kujdesur për sigurinë e rrugës së personave të plagosur.

“Në atë kohë nuk e di, por mandej e kam kuptuar që ka qenë Salih Mustafa. E di që ka pasur një pozitë udhëheqëse, por gjatë transportit të të plagosurve me datën 21 prill zoti Mustafa ka qenë i veshur me uniformën ushtarake edhe gjatë tërë kohës e kam ditur që nën udhëheqjen e komandant Calit do të transportohen të plagosurit për në Majac. Kur i kam pyetur ushtarët se si do t’i transferojmë, kanë thënë nën udhëheqjen e komandant Salih Mustafës do t’i çojmë të plagosurit në Majac. Salih Mustafa ka qenë përgjegjës për sigurimin e rrugës që ne të vazhdojmë”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se Salih Mustafën e njeh prej fillimit të vitit 1999 dhe sipas saj ata janë takuar në ordinancën e Flora Brovinës në Prishtinë në të cilën Canolli kishte shërbyer deri në bombardimet e NATO-s.“Ka qenë ish-i burgosur politik që ka kontribuar shumë për popullatën civile dhe vendin e vet, ka dhënë çdo gjë nga vetja për lirinë e vendit tonë. Pas luftës jo vetëm me zotin Salih Mustafa, por as me anëtarë të tjerë, disa që i kam pasur familje, nuk i kam ruajtur kontaktet me ta. Unë i jam kthyer jetës sime të përditshme, kam krijuar familje, kam krijuar karrierë”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se nuk ka marrë asnjëherë urdhër nga Mustafa apo dikush tjetër në Zllash.

“Nuk kam parë duke urdhëruar dikë ose duke bërë diçka gjatë kohës sa unë kam qenë në Zllash, kam parë gjak, kam dëgjuar krisma, kam parë të plagosur e të sëmurë, nuk kam pasur kontakte, gjatë transportit me zotin Mustafa jemi takuar disa herë kur ky e ka vëzhguar rrugën, e ne kemi shkuar prapa tij”, ka thënë dëshmitarja.

Prokurori Cezar Mihalchuk ka pyetur dëshmitaren edhe rreth deklaratave të një dëshmitari të ZPS-së i cili në gjykatore kishte thënë se disa anëtare femra të UÇK-së kanë marrë pjesë në keqtrajtimin e tij.

Prokurori Mihalchuk: Gjatë këtij gjykimi, jo ti por të tjerët, një nga dëshmitarët që është edhe viktimë në këtë çështje ka thënë se disa nga gratë që kanë qenë anëtare të UÇK-së kanë marrë pjesë në keqtrajtimin e tij brutal, mizor në Zllash. A dini ndonjë gjë ju për këtë?

Dëshmitarja Canolli: Jo.

Prokurori Mihalchuk: Ju vetë, a jeni përfshirë në keqtrajtimin e ndonjë personi civil gjatë luftës?

Dëshmitarja Canolli: Unë e kam dhënë një betim se do t’iu ndihmoj njerëzve, keqtrajtimi është ndëshkim ndaj punëtorit shëndetësor.

Në këtë diskutim seanca ka vijuar me përmbajtje të redaktuar për publikun. Gjatë dëshmisë së saj, Canolli ka thënë para trupit gjykues se nuk ka parë apo dëgjuar të jenë ndaluar apo maltretuar persona në Zllash.

“Ditën kur kam shkuar, kam shkuar lirshëm, dhe ushtarët në oborr kanë qarkulluar lirshëm, fëmijët e zotit Fatmir Humolli dy apo tre herë kanë ardhur te dhoma ime, do të thotë në oborr, kanë qarkulluar lirshëm. Kjo është përgjigjja, nuk besoj që ka pasur diçka. Nuk kam parë dhe nuk kam dëgjuar”, ka thënë ajo.

Dëshmia e Canollit para Dhomave të Specializuara në Hagë ka përfunduar ndërsa gjyqi do të vazhdojë më 19 maj me deklaratën jo nën betim të të akuzuarit.

“Takohemi më 19 maj në 09:30 për deklaratën jo nën betim të akuzuarit”, e ka mbyllur seancën kryetarja e trupit gjykues.

Salih Mustafa cili është arrestuar më 24 shtator të vitit 2020 me pretendimin për krime lufte. Ai po qëndron në paraburgim në Hagë ndërsa në paraqitjen e tij para trupit gjykues është deklaruar i pafajshëm.