Më 1 tetor UP-ja do ta ketë rektorin e ri, Demaj nuk do të rikandidojë

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, këtë vit do të zgjedhë strukturat e reja, pasi më 1 tetor do të fillojë punën rektori i ri i universitetit.

Po ashtu. do të zgjidhen edhe këshillat e fakulteteve, dekanët dhe anëtarët e Senatit.

“Ky proces ka filluar para se të dalim nga objektet. Është bërë rregullorja për zgjedhje, është caktuar Komisioni Qendror Zgjedhor, është caktuar buxheti. Mirëpo për shkak të situatës tash këto do të shtyhen. Edhe këtu kemi bërë dy përgatitje, dy versione plani A, sipas datave nëse kthehemi të bëhen në objekte sikurse janë bërë të gjitha proceset zgjedhore sepse këtu universiteti është në zgjedhje kemi zgjedhjet e studentëve, të këshillave të fakulteteve, të dekanëve senatit dhe këtë vit do të zgjidhet edhe rektori, sepse mandati im përfundon këtë vit”, ka thënë Marjan Demaj.

Ai bëri të ditur se janë bërë përgatitjet që zgjedhjet për rektorin e ri të bëhen edhe në mënyrë virtuale nëse nuk largohet pandemia.

“Më 1 tetor do ta kemi rektorin e ri. Nëse kthehemi do të ketë zgjedhje vetëm se ato do të spostohen koha nëse jo i kemi bërë të gjitha përgatitjet që zgjedhjet të bëhen në mënyrë virtuale”, ka thënë Dema.

Ai ka bërë të ditur se nuk do të kandidojë më për rektor. Dema është shprehur se mësimi virtual është zhvilluar shumë mirë dhe se pjesëmarrja e studentëve është më e lartë.

“Po pandemia e COVUD-19 e ka ndryshuar përditshmërinë reale të botës në këtë kontekst edhe ët Universitetit të Prishtinës. UP në kohë reale është përgatitur jo vetëm për këtë sfidë por të gjitha sfidat që janë paraqitur prej ardhjes së këtij lidershipi. Kemi bërë përgatitjet që ta kalohet nga mësimi tradicional në mësimin virtual. Janë përgatitur të gjitha udhëzimet, manualet, njoftimet në mënyrë që tu ofrohet studentëve ajo që u është ofruar edhe përpara me të vetmin dallim që kjo të bëhet nga distanca. Jemi të kënaqur me organizmin, monitorimin e tyre e sidomos me pjesëmarrjen. Lirisht mund ta them pjesëmarrje më e madhe sesa pjesëmarrja në objekte fizike”, ka thënë ai.

Sipas rektorit Dema, të gjitha shërbimet në universitet janë ofruar.

“Jo vetëm që mësimi është mbajtur, por  janë mbajtur të gjitha aktivitetet, është organizuar mbrojtja e diplomave, ka filluar mbrojtja e temave master”, ka thënë Dema.

Rektori është shprehur se nëse vazhdon kjo situatë UP është e gatshme edhe për organizmin online të provimit pranues.

 “Jemi marr edhe me këtë çështje. Kjo varet edhe nga disa kushte paraprake, përfundimi i maturës. Ne do të përgatitemi që t’i realizojmë sipas një orari të caktuar. Orari për këto kategori do të punojmë me orar më të zgjatur që të respektohet distanca dhe të gjitha kriteret në fuqi. Nuk shoh ndonjë vështirësi në organizmin e provimit pranues, provimeve të afatit të qershorit. Qoftë online ose trajtë fizike sepse ky menaxhent është duke u përgatitur që të jetojmë me këtë virus”, ka thënë Dema.

Edhe këtë vit UP-ja planifikon të pranojë diku 8 mijë e 500 studentë.

“Numri i të interesuarve ka rënë në tërë botën por edhe në Kosovë. Ne pranojmë diku rreth 8 mijë e 500 studentë, por nuk është konkurrenca që ka qenë përpara. Studentët zgjedhjen e parë e kanë UP për shkak të stafit, kushteve, imazhit, stafit. Numri nuk do të lëvizë, jemi të interesuar që në disa programe ku kemi numër të madh të diplomuarve të kemi një zbritje. Në fushat e tjera do të jetë pothuajse i njëjti numër”, tha Dema për EO.

Ai ka thënë se sipas informatave që kanë, asnjë profesor dhe asnjë student nuk janë prekur nga Coronavirusi.

“Fatbardhësisht nuk kemi asnjë profesor asnjë student për sa kemi informata. Lajm i mirë se studentët edhe stafi kanë treguar nivel të lartë se si të ruhemi nga ky virus i dëmshëm që do ta ndërrojë kahen e botës”, tha ai.