MCC i ndihmon Kosovës që t’i mbërrijë objektivat në fushën e energjisë

Kosova pritet të forcojë pavarësinë energjetike me Programin e ri Kompakt të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) dhe në të njëjtën kohë të kursejë miliona euro në vit.

Dardan Abazi, nga Instituti për Politika Zhvillimore, tha për Radio Kosovën se donacioni nga MCC i ndihmon Kosovës që t’i mbërrijë objektivat e saj në fushën e energjisë së ripërtërishme dhe do t’i ndihmojë sistemit energjik t’i rrisë mundësitë për burime të ripërtërishme në sistemin energjetik.

Sipas MCC-së, Projekti i Ruajtjes së Energjisë synon që të mbështesë sigurinë energjetike, por edhe t’ia japë mundësinë Kosovës të kalojë në energjinë e pastër.

Dardan Abazi, nga Instituti për Politika Zhvillimore tha se me marrëveshjen me MCC për energji, do të ketë investime në burimet e ripërtërishme, decentralizim më të madh të prodhimit dhe mundësi në treg të liberalizuar e nga i cili do të përfitojnë konsumatorë nga çmimet më të ulëta të energjisë.

“Duke pasur konkurrencë më të lartë në tregun e energjisë do të ketë përfitime edhe për amvisërinë . Gjithashtu përfitimet do të jenë edhe në kuptimin e efiçiencës së energjisë, investime në rrjetin e distribucionit që janë paraparë .Por edhe përfitime të tjera afatgjate për të gjithë konsumatorët, sepse një sistem i dekarbonizuar dhe një tranzicion i suksesshëm do të thotë një konsumator i kënaqur me shërbime më të mira dhe shëndet më të mirë sepse do të kemi ulje të emetimeve të ndotësve”, ka thënë Abazi.

Ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, më herët pati deklaruar se Kosova do të kursejë të paktën 15 milionë euro në vit nga Programi i ri Kompakt i MCC-së.

Sipas vlerësimeve të MCC-së, norma e brendshme e kthimit të këtij projekti pritet të jetë 8.7 për qind. Dardan Abazi thotë se nga kjo marrëveshje që është donacion, nuk do të këtë kosto shtesë dhe se përfitimet do të jenë të larta.

“Sepse do ta kemi një kapacitet të lartë rezervë të energjisë e i cili do t’i shërbejë edhe KOSTT-it që e bënë balancimin e sistemit por edhe të sistemit energjetik që të përmbushim kërkesën për energji,dhe e përgatit Kosovën për një tranzicion të suksesshëm”, ka shtuar ai.

Marrëveshja në vlerë të përgjithshme prej 236.7 milionë dollarësh, përqendrohet në projekte të energjisë. Programi Kompakt përbëhet prej dy projektesh dhe konsiderohet si investimi më i madh i Qeverisë Amerikane në Kosovë.

Abazi thotë se sipas strategjisë për energji është paraparë që brenda dhjetëvjeçarit të parë të kryhet investimi dhe të fillohet me benefitet e para nga ky kapacitet rezervë.

Sipas drejtoreshës së MCC-së për Kosovën, Sarah Olmstead, prokurimi i parë për projektet e Programit Kompakt pritet të nisë pas dy vjetësh. Pas nënshkrimit të Programit Kompakt, Kuvendi i Kosovës duhet të ratifikojë këtë marrëveshje ndërkombëtare me dy të tretat e votave.