McAllister shpreson që shtetet anëtare të BE-së veç e veç do të dalin shpejt me vendim për vizat

Asnjë përfaqësues i institucioneve të Bashkimit Evropian apo vendeve anëtare nuk kanë dhënë afate kohore për liberalizimin e vizave. Ndërsa përfaqësues të ndryshëm në Kosovë po e bëjnë këtë vazhdimisht.

Procesi i vendimmarrjes për liberalizimin e vizave për Kosovën është në vazhdim e sipër në Këshillin e BE-së, e në Kosovë, qytetarët po ‘mashtrohen’ se liberalizimi mund të ndodhë në këtë fundvit.

Kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme në Parlamentin Evropian, David McAllister, në një përgjigje për Koha.net, tha se është i vetëdijshëm që pritjet në Kosovë janë të larta.

Në korrik të vitit 2018, thotë ai, Komisioni Evropian konfirmoi se Kosova i plotësoi dy kriteret e mbetura për liberalizimin e vizave të cilat janë demarkacioni i kufirit me Malin e Zi dhe forcimi i rezultateve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ndërkaq, në gusht të vitit 2018, Komiteti i Bashkimit Evropian për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme (LIBE), votoi për të hyrë në negociata ndërinstitucionale për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Kujtoj se kjo u konfirmua nga një shumicë e madhe në Parlamentin Evropian më 13 shtator. Jam shumë i vetëdijshëm se pritjet në Kosovë janë të larta. Tani qëllimi është që Këshilli i BE-së të dalë me një pozicion, ata marrin vendim. Unë shpresoj se shtetet anëtare do të pozicionohen vet në një të ardhme të afërt”, tha McAllister për Koha.net.

Ai ditë më parë ka vlerësuar se Kosova ka përmbushur kushtet për liberalizim, por pret që vendet e BE-së të njohin këtë arritje dhe të japin dritën e gjelbër për lëvizjen e lirë për qytetarët e Kosovës.

Deri tani në BE thonë se nuk ka asnjë datë kur do të konfirmojnë lajmin për liberalizimin. Madje, në muajin maj të këtij viti, edhe zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, Rainer Wieland, pati kërkuar nga drejtuesit e institucioneve dhe partive politike në Kosovë që të mos japin afate kohore për liberalizimin e vizave.

“I rekomandoj të gjithë liderët në Kosovë që të mos bëjnë premtime për liberalizimin e vizave që mund të ndodhë shumë shpejt”, pati thënë ai.

Por kryeministri Ramush Haradinaj, presidenti Hashim Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj dhe Ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha, janë më të zëshmit që vendimi për liberalizim ndodh sivjet, e në mot qytetarët lëvizin lirshëm.

Vetëvendosja është partia që ka kërkuar dorëheqjen e krerëve shtetërorë për, siç thonë ata, mashtrimin që po ua bëjnë qytetarëve rreth afateve kohore për liberalizim të vizave. Ata kanë ngritur shqetësim se nuk do të ketë liberalizim vizash as në vitin 2019, e këtë thonë se e dinë edhe vet ata që po premtojnë.

E ndonëse në Kosovë vazhdojnë premtimet e shpeshta rreth liberalizimit të vizave, ata fajin ia hedhin BE-së, se kinse kjo duhet të marrë më shpejtë vendimin pasi Kosova i ka kryer obligimet e veta.

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, së fundmi ka thënë se nëse BE-ja nuk jep ndonjë afat, Kosova do të ndryshojë raport ndaj tyre e do të shohë si të sillet me ta.

Koha.net është interesuar të marrë më shumë informacione rreth deklaratave të Hoxhajt, i cili gjithashtu thotë se deri në dhjetor BE-ja duhet të dalë me një përgjigje, por edhe pse ka pranuar të kthejë përgjigje, janë bërë katër ditë që ai nuk ka shfaqur interesim më.

Vendimmarrja nga Këshilli i Ministrave dhe Parlamenti Evropian për heqjen ose jo të vizave mund të vështirësohet nëse kjo s’bëhet sivjet. Kjo për shkak se në vitin e ardhshëm do të ndryshohet udhëheqja e presidencës së BE-së si dhe do të intensifikohen përgatitjet për zgjedhje parlamentare. Kjo, mund të ndikojë në ngadalësimin e procesit të liberalizimit edhe për vitin tjetër.

Kujtojmë se deri tani në mesin e disa vendeve që po hezitojnë të votojnë pro liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës janë edhe Gjermania, Franca e Holanda.

Demush Shasha, Drejtor Ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Politikat Evropiane, tha për Koha.net se tani Kosova është duke hyrë në pjesën më të rëndësishme të vendimmarrjes që zhvillohet në kuadër të institucioneve të BE-së.

Komisioni Evropian tani ka bërë propozimin për plotësim-ndryshimin e Rregullores 539/2001 me qëllim të sigurimit të liberalizimit të vizave për Kosovën në Zonën Schengen.

Por sipas Shashës, tani kanë mbetur edhe 6 hapa për lëvizjen e lirë të qytetarëve, respektivisht, siç thotë ai, përfundimi i negociatave dhe dakordimi mbi një marrëveshje të përkohshme jo-formale për plotësim-ndryshimin e Rregullores 539/2001. Pas kësaj, thotë ai, është votimi për plotësim-ndryshimin e Rregullores 539/2001 në LIBE (Parlamenti) dhe aprovimi në COREPER (Këshilli). Pastaj, sipas tij, votimi për plotësim-ndryshimin e Rregullores 539/2001 në seancë plenare të Parlamentit Evropian. Tjetra, siç thotë Shasha, është votimi për plotësim-ndryshimin e Rregullores 539/2001 nga Këshilli i BE-së, ceremonia e nënshkrimit nga Këshilli dhe Parlamenti, hyrja në fuqi e Rregullores 539/2001 dhe lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës (20 ditë pas publikimit në gazetë zyrtare).

Pjesa kritike e këtyre hapave, thotë ai, është votimi i plotësim-ndryshimit të Rregullores 539/2001 nga ana e Këshillit të BE-së.

“Siç kemi komunikuar së fundi publikisht, në këtë pikë kohore mund të konfirmojmë që lëvizja e lirë për qytetarët tanë nuk mund bëhet këtë vit. Skenari më pozitiv është që vendimmarrja për procesin e liberalizimit të vizave të përfundojë këtë vit, ndërsa qytetarët të lëvizin lirshëm në vitin 2019”, tha ai për Koha.net.

Një situatë e tillë e krijuar së fundmi në Kosovë, sipas tij, e çon procesin e liberalizimit të vizave në një rrugë me shumë të panjohura, për shkak të së paku 3 arsyeve.

“Presidenca rumune fillon nga 1 janari i vitit 2019 – prandaj duke e ditur qëndrimin e shtetit rumun ndaj pavarësisë së Kosovës, mund të presim shumë pak lëvizje në drejtimin pozitiv sa i përket liberalizimit të vizave. Zgjedhjet për Parlamentin Evropian do të preokupojnë vëmendjen e vendeve anëtare, dhe, zhvillimet rreth BREXIT-it do të kenë vëmendjen kyçe politike në kuadër të BE-së”, tha ai.

Shasha gjithashtu ka folur për premtimet e udhëheqësve institucionalë të Republikës së Kosovës për lëvizje të lirë deri në fund të vitit 2018.

“Dinamika që po e shohim ditëve të fundit është që kemi një kundërshtim apo hezitim prej vendeve anëtare, që hezitojnë të marrin vendimin pozitiv për t’i liberalizuar vizat për Kosovën. Në këtë kontekst, zyrtarët e lartë të institucioneve kanë përdorur një gjuhë fajësuese ndaj BE-së në rast të mos-liberalizimit të vizave deri në fund të këtij viti. Janë shqetësuese këto deklarata dhe rikujtojmë se asnjë përfaqësues i institucioneve të BE-së apo vendeve anëtare, asnjëherë, nuk ka dhënë afate kohore për liberalizimin e vizave. Janë vetë përfaqësuesit institucionalë të Kosovës të cilët kanë ofruar premtime të paqëndrueshme kohore për liberalizimin e vizave”, tha ai.

Shasha tha gjithashtu se tendencat e udhëheqësve institucionalë për të hedhur fajin nga institucionet e BE-së janë të papranueshme.

“Përgjegjësia për mos liberalizimin e vizave gjatë vitit 2018 bie mbi lidershipin politik të këtij koalicioni qeverisës i cili ka dhënë premtime të papërgjegjshme dhe joreale”, tha tutje ai.

Demush Shasha, Drejtor Ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Politikat Evropiane, thotë po ashtu se qëndrimi i institucioneve të BE-së është shumë i qartë dhe konsistent. “Kosova duhet të shënojë progres në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, me theks të veçantë tek profilet e larta dhe të krijojë mjedis pozitiv në sundimin e ligjit, duke siguruar pavarësinë e sistemit gjyqësor nga ndikimet politike. Çdo regres dhe çdo lajm negativ që ne e dërgojmë tek vendet anëtare të BE-së vetëm sa e thellon dyshimin dhe ngrit skepticizmin për një vendim pozitiv për procesin e liberalizimit vizave. I gjithë lidershipi politik duhet të kuptojë që pa drejtësi të pavarur, transparente, efikase dhe me njerëz me integritet, nuk mund të krijohet klima pozitive brenda vendeve anëtare për të siguruar një vendim pozitiv për lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë”, përfundoi Shasha.

Ua rikujtojmë edhe njëherë se për procesin e liberalizimit, fillimisht, Komisioni Evropian e bën vlerësimin se a janë plotësuar të gjitha kushtet. Pastaj, Parlamenti Evropian mandatohet nga Komisioni Parlamentar kompetent (LIBE – Komisioni për të drejta civile, drejtësi dhe punë të brendshme).

Pas kësaj, Këshilli i Ministrave të BE-së miraton pozicionin negociues, që i hapë rrugë trialogut mes Komisionit, Këshillit dhe Parlamentit, ku dakordohet për përmbajtjen e tekstit i cili më pas hidhet në votim. Pas dakordimit të tekstit, propozimi për liberalizim hidhet në votim në seancë plenare në Parlamentin Evropian, ku nevojitet shumica e kualifikuar. Në të njëjtën kohë, edhe Këshilli i Ministrave të BE-së duhet ta votojë propozimin me shumicë të kualifikuar (55% e vendeve të BE-së që përfaqësojnë 65% të popullsisë).