Mbyllet viti shkollor, ministrja e Arsimit: Shkollat do të hapen vetëm për maturantët…

 Viti akademik 2019-2020 do të mbyllet, pa mundur që nxënësit dhe studentët të rikthehen në ambientet e shkollave për shkak të koronavirusit.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Arsimit, Besa Shahini gjatë një komunikimi online.

Shkollat dhe Universitetet në Shqipëri do të rihapen në shtator ndërsa prej datës 9 mars të këtij viti vijojnë të jenë të mbyllura për shkak të situatë së shkaktuar nga pandemia botërore, Covid-19.

“Ashtu siç ju kam premtuar dua t’ju njoftoj sot për vendimin që kemi marrë, për mbylljen e vitit shkollor. Kemi vendosur që shkollën ta hapim vetëm për maturantët  për disa javë”. tha më tej Shahini.

Ministrja e  Arsimit ka shpjeguar më tej se viti mësimor nuk digjet. Ndërsa shkolla do të hapen vetëm për maturantët, për periudhën 18 maj deri në 5 qershor me qëllim që të përgatiten për Maturën Shtetërore.

Kemi vendosur të hapim shkollat për maturantët nga data 18 maj deri 5 qershor për lëndët e maturës shtetërore. Mësimi nga shtëpia do të vijojë nga klasa e parë deri në të 11 deri në fund të majit. Hapja për maturantët do të zbatohet duke zbatuar rregullat e distancimit social. Arsyeja pse nuk i hapim të gjitha ka të bëjë me numrin e madh të nxënësve që kemi në shumë shkolla. Për shkak të tërmetit një pjesë janë dëmtuar dhe një pjesë kanë kaluar me dy turne. Prandaj vendosëm të hapim shkollat vetëm për maturantët. Me distancë 1.5 metra mes tyre dhe që numri të mos jetë më shumë se 10-12m maksimumi 15. Do të përdorim edhe disa shkolla 9-vjeçare afër të mesmeve” tha ajo.