Mbyllen dy qendra masazhi në Ferizaj

Inspektorati i Komunës së Ferizajt në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, konkretisht Njësitin për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore në Ferizaj kanë mbyllur dy qendra masazhi, raporton Ballkani.info.

Sipas njoftimit të Komunës së Ferizajt, këto lokale janë mbyllur me dyshimin e zhvillimit të prostitucionit, me ç’rast janë arrestuar tre persona.

“Inspektorati i Komunës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, gjegjësisht Njësitin për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore në Ferizaj, pas një pune hetimore, ka mbyllur dy qendra masazhi me dyshimin e bazuar për mundësimin e zhvillimit të prostitucionit, me ç’rast janë arrestuar tre persona”, thuhet në njoftimin e Komunës, përcjell Ballkani.info.

Ky aksion i përbashkët i forcave të rendit dhe Inspektoratit të Komunës ka ardhur si rrjedhojë e vëzhgimeve nga afër të këtyre lokale nga organet e rendit, me dyshimin se po zhvillohej veprimtari e paligjshme.

Lokalet e mbyllara gjendeshin në zonën prapa Gjimnazit të Shkencave Shoqërore “Dr. Shaban Hashani” dhe në rrugën “Kemajl Hetemi”.

Të arrestuarit përkitazi me këtë rast me vendim të prokurorit janë në mbajtje për 48 orë.

Ridvan Berisha, kryeinspektor i Inspektoratit të Ferizajt tha se bashkëpunimi me Policinë e Kosovës dhe vigjilenca e inspektorëve komunal po jep rezultate domethënëse për jetën, sigurinë dhe shëndetin e qytetarëve./Ballkani.info/


loading…