Mbrojtja e informacionit të klasifikuar do të behet me ligj të veçantë| Kriter edhe për anëtarësim në BE

Votimi në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës i Ligjit për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar, ligj që parasheh mbrojtjen e informacioneve të klasifikuar, njohësit e çështjeve të sigurisë në vend e kanë mirëpritur.

Sipas tyre në Kosovë ka rrjedhje të shumta të informacioneve dhe me një ligj të tillë, në të cilin pritet që të themelohet edhe Agjencia për Mbrojtjen e Informacionet të Klasifikuar (AMIK), do të ketë një proces strukturor i cili do të trajton informacionet e klasifikuara.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, tha për Ekonomia Online se pasi që Kosova aspiron anëtarësimin në BE dhe është Forca e Sigurisë së Kosovës, është në tranzicion një ligj i tillë është i domosdoshëm.

Kjo ngase sipas tij, garantohet ruajtja dhe shpërndarja e informacioneve për akterët relevantë.

“Përmbyllja e arkitekturës së sigurisë, e cila përcillet pastaj me ndryshimet dhe plotësim të normativës është e domosdoshme për një shtet i cili aspiron hapësirat më të larta të Bashkimit Evropian, sepse Kosova është në rrugëtimin e saj të përmbylljes së kërkesave siç është përmbyllja e arkitekturës, jemi në një faze tranzicioni të Forcës së Sigurisë së Kosovës”.

“Njëkohësisht kemi të bëjmë me ndryshime të cilat mund të priten në kuadër të Policisë së Kosovës. Çdo normativ e re e cila i ndihmon përmbylljes aspektit ligjor unë mendoj që janë të mirë se ardhura dhe të domosdoshme sepse kështu garantohet lëvizja e informacioneve, garantohet që shpërndarja e informacioneve të jetë për akterët relevantë”, tha ai.

Shala shtoi se në vend ka pasur raste kur kanë rrjedhur informacionet, duke shtuar se në Kosovë institucioni më i besueshëm për ruajtjen e informacioneve është AKI-ja.

“Sa i përket çështjes së rrjedhjeve të informacioneve, mendoj që në kuadër të asaj ka pasur disa raste ku informacionet kanë rrjedhur me dashje pa dashje, janë cenuar edhe operacionet e policisë së Kosovës. Mendoj se çështja e rrjedhjes së informacioneve mund të minimizohet, por as se si nuk mund të themi se Kosova mund të mbetet stoik në atë që nuk do të rrjedhin informacionet në të ardhmen”.

“Institucioni më i besueshëm i cili domen të fushëveprimtarisë e ka informacioni është Agjencioni Kosovar i Inteligjencës e cila është primare ose liderë e mbajtjes së informacioneve për nevojat e saja operacionale. Sa i përket akëterve të tjerë ne e dimi që në momentin që ka shkëmbime të informacioneve në mesë institucioneve si polici, prokurori, gjyqësi atëherë me automatizëm ky trekëndësh jepet mundësi që informacionet të rrjedhin”.

Edhe Bedri Elezi, njohësi i çështjeve të sigurisë, tha se ka qenë i pritur votimi i këtij ligji, duke e cilësuara atë sipas standarteve.

“Deri më tani e dimë që vetëm Agjencia e Kosovës për Inteligjencë ka të drejt për klasifikim të informacioneve dhe rrjedhimisht nuk ka të rregulluar mirëfilltë me ligj se si duhet të trajtohet çështja e klasifikimeve, ngase jemi të vetëdijshmi që në të kaluarën kemi pasur rrjedhje të informacioneve dhe në as një mënyrë nuk kemi pasur proces strukturor, i cili do të trajtonte këto. Unë mendoj që ky ligj është i mirë”, tha ai.

Elezi tha se jo rrallë herë në vend ka pasur rrjedhje të informacioneve duke treguar edhe me raste.

“Ju e dini që ka pasur një arrestim në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, madje është sot në proces të akuzave ish-drejtori i IT-së së AKI-së. Ne e kemi pasur fatin që të shoshim disa herë në Kosovë raste kur kanë pasur informacione grupe të caktuara kriminale për veprime paraprake kanë pasur informacione sigurisht edhe strukturat e Serbisë në veriun e Kosovës dhe ka pasur lëvizje para se të lëvizin institucionet e Kosovës, Policia e Kosovës, po ashtu kemi pasur rrjedhje te njësitë e veçanta të Policisë së Kosovës sidomos te antidroga, ku njësit e antidrogës bashkëpunojnë ngushte me grupet  kriminale”.

“Deri më tani rezulton që institucionet nuk janë efikase në ruajtjen e informacioneve, ngase ne kemi pasur raste në takime më njerëzve të ndryshëm me parë se sa kanë informacione për çështje të caktuara që janë komplekse. Kemi pasur dështime të shumta të institucioneve të Policisë së Kosovës, njësive të veçanta të policisë, në zbatimin e vendimeve të gjykatës, kemi mungesë të numri të madh të qytetarëve të cilët kërkohen e nuk arrestohen. Kemi pasur përpjekje të policisë së Kosovës për t’i arrestuar dhe nuk i kanë gjetur në vendin ku ata janë kërkuar. Ku lenë për të kuptuar qe nuk kemi kapacitete të mirëfillta dhe nuk jemi në nivel të detyrës sa i përket çështjes së ruajtjes së informacioneve”, tha ai.