Mbrojtja e ambientit në fokusin e projekteve filmike të 14-vjeçarit kosovar

Peon Sadiku, një 14 vjeçar nga Gjilani, përpiqet që përmes video-projekteve që i realizon vet dhe i publikon në kanalin e tij në Youtube, të ndikojë në vetëdijesimin e rrethit për mbrojtjen e ambientit dhe për problemet e shoqërisë.

Aktualisht, ndotja e lumenjve është një nga temat në fokusin e tij.

“Sot kam dalë këtu për të bërë një video projekt, t’i bëj disa xhirime për projektin tim të ri, për t’i mbrojtur lumenjtë (Save the Rivers), sepse kjo është edhe rreth një teme aktuale, të ngrohjes globale.  Këtu kemi dalë për t’i parë mbeturinat që ne po i hedhim dhe duhet të ndryshojmë…”, tha Peon Sadiku, për REL.

Ai është në klasën e nëntë të shkollës fillore të mesme të ulët dhe i pëlqen puna e gazetarit dhe kameramanit.

Peoni realizon reportazhe dhe filma të shkurtër që prekin temat sociale dhe ambientit ku jeton.

Peoni është një 14 vjeçar që dëshiron ta shohë botën ndryshe.

“Si prodhues filmash kam filluar qe 5 vjet kur ia kam bërë një reportazh shkollës sime. Më pëlqeu dhe thashë pse mos të provoj të bëj një reportazh. Të gjithë e pëlqyen dhe më thanë se ‘ti ke talent’”, tha ai.