Mbretëresha Elizabeth II dhe princi Philip marrin vaksinat anti-COVID

Mbretëresha dhe Duka i Edinburgut kanë marrë vaksinat anti-COVID të shtunë, ka bërë të ditur Pallati Mbretëror në Buckingham, përcjell “The Independent”.

Mbretëresha Elizabteh II, 94-vjeçare dhe princi Philip, 99 vjeç, morën vaksinat në Kështjellën Windsor.

Pallati mbretëror, që rrallë komenton mbi çështjet shëndetësore e private të familjes mbretërore, ka njoftuar se vaksinat u dhanë nga një mjek i pallatit.

Sipas mediave, mbretëresha kërkoi vetë që kjo të publikohej në mënyrë që të parandaloheshin spekulimet dhe keqinformimet.

“Mbretëresha dhe Duka i Edinburgut kanë marrë sot vaksinat anti-Covid”, tha një zëdhënës i Pallatit Buckingham.

Nuk është bërë e ditur se cila vaksinë i është dhënë çiftit mbretëror.

Dhe, ky lajm vjen ndërsa vaksina e tretë anti-Covid është aprovuar për përdorim në Britani të Madhe. Të premten, u aprovua për përdorim edhe vaksina Moderna, ndërkohë që në fund të vitit ishin aprovuar vaksinat Pfizer dhe Oxford.