Mbrëmë tha se Astrit Dehari është vrarë, sot Haxhiu e ndryshoi gjuhën në komunikatë

E ulur përballë Rron Gjinovcit, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha mbrëmë se Astrit Dehari është vrarë. Për dallim prej kësaj deklarate, në komunikatën që ka lëshuar sot Ministria që udhëheq Haxhiu, s’përmendet kund fjala “vrasje”. Ndërkohë, akuzat për Prokurorinë Speciale i ka vazhduar edhe sot, raporton Express.

Kthimi i ekspertizës shtesë nga Zvicra për rastin e vdekjes së Astrit Deharit dhe publikimi, ka bërë që Ministrja e Drejtesisë, Albulena Haxhiu, të shpërthejë në akuza ndaj Prokurorisë Speciale.

Sipas saj, Specialja po manipulon, meqenëse s’i ka publikuar të gjitha gjetjet e ekspertizës, por vetëm dy prej tyre.

Ajo u shpreh e bindur se Astrit Dehari është vrarë.

“Patjetër që po (është vrasje). Nëqoftëse e vlerësoni rastin prej dje, janë kthyer të të gjitha prej fillimit. Prej raportit zviceran. Prej raporteve të dy ekspertëve të cilët ishin kërcënuar nga ish-ministrja Hoxha. Ata ndihen të rrezikuar të vijnë në Kosovë për shkak të atyre kërcënimeve. Prej atyre që ndodhen pas rastit. Vdekja e dëshmitarit kryesor. Janë të shumta elementet që të qojnë se Astriti është vrarë”, tha ajo në KTV.

Për gjetjet e kësaj ekspertize, Ministria e Drejtësisë ka dalë sot me komunikatë, ashtu siç paralajmëroi Haxhiu.

Por, në komunikatë, s’përmendet askund fjala vrasje.

“Astrit Dehari ka vdekur në duart e shtetit. Papërgjegjësia e organeve të shtetit ka prodhuar edhe këtë situatë të kobshme. Papërgjegjësia e sërishme e organeve, këtë rast e Prokurorisë Speciale, tenton të vrasë zbardhjen e drejtësisë.

Përkundër pengesave që kanë vendosur, individë apo grupe të ndryshme, të cilët tentojnë ende që të pamundësojnë zbardhjen e rastit Dehari, ato nuk mund ta sfidojnë në tërësi drejtësinë”, thuhet në komunikatë.

Edhe sot, Haxhiu ka vazhduar me akuzat ndaj Prokurorisë Speciale.

“Ende pa e pranuar familja e Astrit Deharit raportin e Institutit zviceran, Prokuroria Speciale publikon 2 konkluzione dhe jo 5 sa janë në tërësi ato.  Nxitimi me komunikatë nga Prokuroria Speciale sikurse deklaratat e menjëhershme asokohe të kreut të policisë dhe të Prokurorisë Themelore në Prizren, në mënyrë të ngjashme na rikthehen sërish me deklarata të Prokurorisë Speciale, pa kurrfarë nevoje për këtë nxitim.

Kujt i kontribuon një manipulim i tillë, ku publikohen konkludime të pjesëshme? Si munden organet e drejtësisë të jenë kaq tendencioze dhe selektive, veçmas një organ siç është prokuroria, e cila nuk guxon t’i shpërfillë asnjë nga hetimet që bëhen për asnjë rast të caktuar”, thuhet në komunikatën e MD’së.

Sipas Haxhiut, në raportin shtesë që ka ardhur nga Zvicra, ceket se provat janë dëmtuar dhe si të tilla nuk kanë mundur të konfirmojë ADN-në e një personi të tretë.

“Mendoj që përmes komunikatës për medie, prokuroria ka tentuar dhe nuk e kuptoj arsyen pse e bënë këtë. Sepse sic e mbaj mend ish-prokurori në atë kohë Sylë Hoxha kishte thënë se është vetëvrasje. Drejtori i Policisë kishte thënë që është vetëvrasje. Kishin dhënë qëndrime të ndryshme sa i përket rastit. Mirëpo raporti i parë i Institutit Zviceran tregonte që bëhej fjalë për përfshirjen e një personi të tretë. Ndërsa cka më la përshtypje në raportin e dytë se të gjitha provat që i ka marrë ky institut nga prokuroria, kishte thënë se mënyra si i janë dhënë provat, ato janë dëmtuar, ka qenë shumë e vështirë që të gjendet ADN apo t’u bëhet analizë atyre provave. Do ta lexojmë në detaje këtë raport. Po ashtu në lidhje me veprimet e Prokurorisë do të dalim nesër në një komunikatë me media. Do të jemi edhe në komunikim me familjen Dehari dhe do t’i bëjmë të qarta veprimet që kanë ndodhur”, tha ajo.

Tutje, ajo ka deklaruar se në konkluzionin e fundit të këtij raporti thuhet se prova kryesore se për të ardhur deri tek e vërteta është trupi dhe rrjedhimisht ajo thotë se nuk është përdorur fare.

“Besoj që është e rëndësishme që këtë përgjigje ta marrim nga familja. Por pika e fundit në konkluzione thuhet se prova kryesore se për të ardhur deri tek e vërteta është trupi dhe rrjedhimisht ajo thotë se nuk është përdorur fare. Dikush duhet të marrë përgjegjësi se pse nuk janë bërë analizat e duhura të trupit. Pasi nëse lexon pikën e fundit thuhet se e vetmja mundësi për të ardhur tek e vërteta dhe nuk është dhënë mundësia që të përdoret aq sa duhet për provë. Nesër do të dalim me komunikatë”, ka deklaruar Haxhiu në KTV.

Ajo ka përmendur edhe një deklaratë të ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, ku iu drejtohetj deputetëve të VV-së.

“Ka shumë deklarata edhe para se të ndodhte rasti Dehari. Kur pati deklarata nga ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, kur na tha rujuni ‘se pe vrani vetin’. Arrestimet që ndodhën. Prokuroria duhet të merret me këto. Po e them edhe një herë. Ka qenë rasti më i rëndë pas luftës. Një aktivist është marrë në burg për ditë të tëra pa prova dhe nuk del i gjallë nga aty. Prandaj është dashur të ketë përpjekje maksimale prej fillimit. Jo të dëmtohen provat. Të merren parasysh raportet. Duhet të publikohen. Sepse publikut i intereson të dijë çfarë ka ndodhur aty. Po e them edhe një herë. Nesër në ora 10 do të dalim me komunikatë”, tha Haxhiu.

Ndryshe, Prokuroria Speciale ka njoftuar se më 1 prill ka pranuar raportin nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, lidhur me rastin e Astrit Deharit.

Sipas Prokurorisë, raporti i ekspertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës për rastin e Astrit Deharit, konstaton:

Analizat e AND-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin, Astrit Dehari, në momente të afërta me vdekjen, (brisk rroje, stilolaps i lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali, nuk kanë treguar profil të AND-së për veç të atij, Astrit Dehari.

Analizat toksikologjike plotësuese të gjakut periferik të Astrit Deharit, kanë treguar praninë kafeines dhe mos prani të etanolit.

“Sa i përket ekshumimit të trupit të të ndjerit nuk ka rekomandim në ekspertizë dhe e njëjta nuk është rekomanduar që të ri ekzaminohet trupi duke pasur parasysh se sa kohë ka kaluar”, thuhet në njoftim.

Sipas Prokurorisë, raporti është pranuar në gjuhën frënge, ndërsa më 8 prill e kanë pranuar të përkthyer.

“Prokuroria Speciale njofton se raporti i ekspertizës është pranuar në gjuhë frënge dhe më pas është dërguar për përkthim në gjuhë shqipe. Ndërkaq, më datë 08.04.2022, rreth orës 15:30, kemi pranuar raportin e përkthyer në gjuhë shqipe”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.