Mblidhet Kryesia e PDK-së: Diskutohet gjendja tragjike me pandeminë

Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës, e udhëhequr nga kryetari Memli Krasniqi, ka mbajtur të hënën mbledhjen e saj të rregullt, ku kanë diskutuar për zhvillimet e fundit dhe tragjedinë nëpër të cilën po kalon Kosova si rezultat i përkeqësimit të gjendjes së pandemisë. Muaji gusht i këtij viti, ishte periudha më tragjike që ka përjetuar Kosova deri tani nga fillimi i pandemisë.

Sipas të dhënave publike, vetëm gjatë këtij muaji, kanë vdekur 213 qytetarë të vendit tonë, ndërsa janë infektuar 35 mijë e 299 qytetarë. Anëtarët e Kryesisë së PDK-së, diskutuan për shqetësimin që po shfaqin qytetarët e Kosovës të cilët po kërkojnë në vazhdimësi termine për vaksinim, të cilat nuk mund t’i marrin për shkak të mungesës së vaksinave. Kjo situatë bëhet edhe më shqetësuese, për faktin se Kosova është në fund të listës së vendeve të Evropës, për sa i përket përqindjes së popullsisë së vaksinuar. Partia Demokratike e Kosovës, fton Qeverinë që të ndryshoj qasjen e menaxhimit të procesit të vaksinimit të qytetarëve në këtë periudhë tragjike.

Qeveria duhet të ketë plan konkret për furnizim të vazhdueshëm me vaksina, për rritjen e kapaciteteve të vaksinimit dhe të decentralizojë këtë shërbim, duke mundësuar vaksinim 7 ditë të javës për çdo qytetar, nëpër lagje, fshatra e qytete, e jo ta mbajë edhe më tej të centralizuar këtë proces jetik për qytetarët. Kryesia e PDK-së ka diskutuar edhe për procesin e përgatitjeve rreth zgjedhje lokale.

Anëtarët e Kryesisë u informuan se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 29 kandidatë të PDK-së për kryetarë të komunave dhe 875 kandidatë për 33 Kuvende Komunale, duke qenë edhe kësaj here partia me numrin më të madh të kandidaturave për udhëheqje të komunave. 17 nga 29 kandidatët e PDK-së për kryetarë të Komunave garojnë për herë të parë, ndërsa 22 nga 29 kandidatët nuk kanë qenë asnjëherë në udhëheqje të komunave.

Po ashtu, edhe në këto zgjedhje PDK është partia që ka më së shumti kandidate gra për kryetare të Komunave si dhe kandidate për Kuvende Komunale. Në total, PDK ka 4 kandidate për kryetare të Komunave dhe 324 gra kandidate për Kuvende Komunale. Në këtë mbledhje të Kryesisë janë emëruar katër sekretarë.

Betim Gjoshi do të jetë Sekretar për Organizim dhe Zgjedhje, Bernard Nikaj do të jetë Sekretar për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Adri Nurellari do të jetë Sekretar për Politika Programore dhe Bekim Çollaku do të jetë Sekretar për Çështje të Integrimeve Euro – Atlantike.