Mblidhet kombëtarja e Kosovës, tre futbollistë nuk vijnë në Prishtinë

Sot ka filluar grumbullimi i ekipit kombëtar për dy ndeshjet e fundit të vitit 2021, miqësoren ndaj Jordanisë, që zhvillohet të mërkurën në Prishtinë dhe përballjen e fundit kualifikuese për Kampionatin Botëror “Katar 2022”, që zhvillohet të dielën ndaj Greqisë në Athinë.

3 futbollistë që ishin pjesë e listës së përzgjedhësit Gliha nuk do t’i bashkohen ekipit në këtë grumbullim. Elbasan Rashani ka pësuar lëndim në ndeshjen e djeshme me klubin e tij, kurse Lirim Kastrati e Bersant Celina me kërkesën e tyre për shkak të situatave respektive në klubet e tyre janë liruar nga obligimet me ekipin kombëtar për këtë grumbullim.

Po ashtu mbetet për t’u vlerësuar situata e Zymer Bytyqit, që ka pësuar lëndim në ndeshjen e djeshme me klubin e tij.

Bytyqi është duke i kryer ekzaminimet mjekësore me klubin e tij dhe më pas do të merret vendimi definitiv për të.