Mbledhja e komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes – Deputeti Berisha kërkon lirimin e Nezir Mehmetajt

Sot, nën kryesimin e deputetit të AAK-së, Bekë Berisha, u mbajt mbledhja e radhës e komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes. Në këtë mbledhje ku për rend dite ishte shqyrtimi i raportit vjetor i Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2019, u diskutua për funksionimin e brendshëm të kësaj agjencie, si dhe sfidat që ballafaqohet ky agjencion.

Pas mbledhjes që ishte e mbyllur për medie, deputeti i AAK-së, Bekë Berisha tha se në mbledhje është diskutuar edhe për mbajtjen e Nezir Mehmetajt nga autoritetet serbe.

Ai ka sqaruar se ka kërkuar që ai të lirohet dhe të gjykohet për krime të supozuara nga drejtësia e Kosovës.

“Morëm zotimin se një qytetar, Nezir Mehmetaj gjendet në burg në Serbi dhe sikurse që institucionet e Kosovës nuk kanë mundur të bëjnë asgjë, kërkuam që ai t’i përgjigjet institucioneve tona,  sepse ne kemi institucionet tona dhe e kemi Gjykatën Speciale, e jo të mbahet në burgjet e Serbisë”, tha Berisha.

“Në këtë komision patëm Bujar Sadikun ushtruesin e detyrës e drejtorit për Agjenci për Informacion dhe Privatësi, ku na njoftoi për problemet e veta, ku ishte e nevojshme zgjedhja e një koordinatori, sepse pa zgjedhjen e tij s’ka as komision dhe kishte probleme. Ne u zotuam dhe i dhamë përkrahje që të zgjidhet sa më parë komisioneri “, tha ai.

Ai ka sqaruar se në javën e ardhshme për raportim është ftuar ministri i punëve të Brendshme, Agim Veliu.