Mbi “pendesën” e Albin Kurtit si përçarës i Shqipërisë me Kosovën

Shkruan: Mero Baze

Ndoshta gazetarët që kanë idhull Albin Kurtin kanë harruar çfarë kanë shkruar për të dy vite më parë kur ai fitoi për herë  të parë me 25 për qind të votave në Kosove dhe sillej sikur kishte marrë 99 për qind të votave.

Në gjithë himnet e tyre për Albin Kurtin ajo që shquante më shumë ishte se ai tani do të ishte promotor i ndryshimit politikë edhe në Shqipëri dhe se do të vinte para Edi Ramën dhe klasën politike në pushtet.

Ideja se një zgalem i ri po vinte nga Kosova të “shpëtonte” shqiptarinë, ishte gjëja më vulgare, por njëkohësisht dhe precedenti i parë i rrezikshëm i eksportimit të konflikteve politike nga Kosova në Shqipëri.

E kundërta nuk ka ndodhur kurrë. Gjëja më e rënd që ka ndodhur ka qenë përpjekja e Sali Berishës në vitin 1996 për të mënjanuar Rugovën, por dhe ajo në një shoqëri informale politike, që nuk kishte mekanizma real gare. Ndërhyrja e Albin Kurtit u prit me qetësi dhe u injorua nga Tirana zyrtare. Madje Edi Rama e ktheu në humor. Në ndonjë rast tjetër mund të merrej seriozisht dhe efektet e saj mund të ishin më të rënda se sa janë deri tani.

Po e kujtoj këtë episod pasi dëgjova Albin Kurtin të thoshte se më parë duhet të forcojmë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës pastaj me fqinjtë tjerë në rajon.

Hipokrizia e kësaj fjalie bëhet më e rënd kur këtë e përshëndesin të njëjtët gazetarë që kalonin në delir kur Albin Kurti nisi ofensivën politike kundër qeverisë shqiptare, duke thënë se tani Edi Rama duhet t’i bjerë në gjunjë Albin Kurtit.

E shkruanin këtë edhe kur Albin Kurti tentoi të bëhej udhëheqësi moral i një opozite amorale në Shqipëri, kur kalorësi i “antikorrupsionit” të Prishtinës kish idhull të tij në Tiranë Sali Berishën dhe Ilir Metën të damkosur ndërkombëtarisht si hajdut të kombit shqiptar, kur patrioti i madh mbarëshqiptar, kishte idhull në Tiranë furnizuesin e ushtrisë serbe me naftë.

Qetësia me të cilin e shmangu këtë agresion politik nga Kosova Edi Rama është për t’i ngritur një përmendore të vërtet patriotike, edhe pse tmerrohet prej saj, pasi shmangu një njeri banal, një delirant kokëthatë, që nuk përballet dot me problemet e Kosovës dhe kërkon të krijojë probleme në gjithë trojet ku banojnë shqiptarë.

Disa qindra mijëra shqiptarë të Kosovës janë shtetas të Shqipërisë me të drejt vota dhe gjithë të drejtat e tjera, por kurrë nuk e kanë përdorur këtë privilegj që ua ka dhënë Shqipëria për të bërë agresorin politik ndaj saj.

I pari qytetar i natyralizuar i Shqipërisë që e ka përdorur pasaportën e shtetit shqiptar për luftë kundër shtetit shqiptar është Albin Kurti. Më gjeni një shembull të dytë në botë kur kryeministri i një shteti tjetër, shkon të votojë fizikisht në kryeqytetin e shtetit amë, kundër qeverisë së saj.

A ka shpallje lufte më të madhe se kaq në një konflikt politikë të nisur nga vet ai?

Teksti fillimisht është botuar në Gazeta Tema.