Kuvendi

Mbi gjysma e ligjeve në Kosovë në procedurë të plotësim-ndryshimit

Mbi 60 për qind e ligjeve në Republikën e Kosovës gjatë tri viteve të fundit kanë qenë në procedurë të plotësim-ndryshimit. Kështu thuhet në raportin vjetor të Institucionit të Avokatit të Popullit. E dekani i Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës, Haxhi Gashi, thotë se ndryshimi i shpeshtë i ligjeve, krijon pasiguri juridike.

Që nga viti 2015 deri më 2018, mbi gjysma e ligjeve në Kosovë kanë qenë në procedurë të plotësim-ndryshimit, ka bërë të ditur Avokati i Popullit, Hilmi Jashari. Ai ka thënë se një gjë e tillë përbën shqetësim jo vetëm për zbatuesit e ligjeve por edhe për qytetarët.

“Në vitin 2015 ka qenë në shkallën e 65 për qind e gjithë legjislacionit ka qenë ligje me plotësim-ndryshime. Në vitin 2016 ka ra në 55, por megjithatë ka mbetur mbi gjysmën, dhe në vitin 2017 ka qenë 51 për qind, edhe pse kemi pas dy palë zgjedhje, gjithsejtë janë miratuar 21 ligje, por, gjysma e këtyre ligjeve kanë qenë ligje me plotësim-ndryshime, që i bie që Qeveria sponsorizon ligje të cilat vazhdimisht janë në ndryshime.”

 

 

Dekani i Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës, Haxhi Gashi, ka thënë se ndryshimi i shpeshtë i ligjeve përbën problem edhe për vetë zbatuesit e tyre, duke shtuar se nëse një ligj shkon në plotësim-ndryshim tri herë, atëherë duhet të hartohet ligji i ri.

“Unë konsideroj se nuk është mirë të ndryshohen ligjet shpesh, për shkak se krijon pasiguri juridike dhe pastaj zbatuesi i ligjit do të fillojë të krijojë praktika të tilla të cilat duhet ndryshuar gjithmonë. Prandaj, një hartim i një legjislacioni që është i qëndrueshëm është shumë më i mirë për vendin dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve por edhe për vetë institucionet dhe stabilitetin e shtetit.”

Edhe Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha se Kosova asnjëherë nuk ka pasur mungesë të ligjeve, por, sipas tij, të gjitha qeveritë e deritashme problemet praktike në zbatimin e ligjeve janë munduar t’i kamuflojnë përmes plotësim-ndryshimit të tyre.

“Zakonisht ligjet hartohen nga persona të cilat mund të jenë jokompetentë, joprofesionalë, të cilët mund të kenë njohuri në anën teorike por që nuk e kanë ekspertizën e nevojshme në anën praktike. Andaj, një ligj i cili mund të jetë i qartë dhe i mirë në lexim, i njëjti nëse nuk u përshtatet rrethanave praktike, bëhet i pazbatueshëm, andaj edhe e nxitë nevojën që këto ligje të plotësohen dhe ndryshohen disa herë brenda një periudhe të shkurtër kohore.”

Ministria e Drejtësisë me rishikimin funksional të ligjeve pritet ta përcaktojë edhe periudhën brenda të cilës një ligj nuk mund të ndryshohet pas hartimit.