Mbi 66 mijë ha të mbjella me grurë, kaq është rendimenti për hektarë

Për vitin 2022 sipërfaqja e drithërave të mbjella në vend është 33.04% më shumë se vitin e kaluar e që totali është rreth 91,436.11 hektarë bazuar në të dhënat e marra nga Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, në raportin e aplikimeve për Programin e Pagesave Direkte.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë, vetëm për misrin kemi një rritje prej 90.93% të sipërfaqeve të mbjella apo një total prej 36,901.66 hektarësh apo 17,574.15 hektarë më shumë se viti paraprak.

Nga të dhënat e publikuara nga Ministria e Bujqësisë, teksa procesi i korrje-shirjeve është në vazhdimësi dhe akoma nuk është finalizuar, vetëm me grurë janë rreth 66,159.52 ha të mbjella. Kjo shifër përfshinë edhe sipërfaqet nën dy hektarë.

Ndërsa mbi dy hektarë numri i sipërfaqeve të mbjella është 51,282.96 hektarë me një rritje prej 15.55% krahasuar me vitin e kaluar, ku sipërfaqet e mbjella me grurë mbi dy hektarë kanë qenë rreth 44,381.83 hektarë.

“Deri më tani, nga tereni raportohet që rendimenti në shumicën e vendeve e tejkalon edhe mesataren prej 4000kg për hektarë. Në baza javore pranojmë informata prej Drejtorive Komunale të Bujqësisë, në bazë të të cilave edhe përditësohet Raporti i të dhënave rreth Korrje-Shirjeve”, thuhet në njoftim.