Mbi 40 mijë fletëvotime të pavlefshme

Në zgjedhjet parlamentare të qershorit të vitit 2017, mbi 42 mijë fletëvotime të qytetarëve u shpallën të pavlefshme nga KQZ-ja.

Kjo shifër pothuajse u dyfishua në po atë vit në tetor kur vendi shkoi në zgjedhje lokale. Ishin rreth 80 mijë vota që u shpallën të pavlefshme.

E trend pothuajse i njëjtë me parlamentaret e vitit 2017 po vazhdon edhe në zgjedhjet e fundit.

Derisa KQZ-ja ka bërë numërimin e mbi 98 % të votave, janë regjistruar mbi 40 mijë fletëvotime të pavlefshme.

Janë saktësisht 40.155 vota të pavlefshme nga saktësisht 98,15 për qind të votave të numëruara, ndërsa numri mund të rritet edhe më shumë kur të nis numërimi i votave me kusht, të personave me nevoja të veçanta dhe të votave që kanë arritur përmes postës.

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve pritet që brenda disa ditëve të nis numërimi i këtyre votave, sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezit.

“Sa i takon kohës se kur do fillojë numërimi i votave me kusht, i votave me nevoja të veçanta dhe votave përmes postës, ne varemi nga procedura dhe dinamika e punëve që zhvillohen këtu në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, por shpresojmë se brenda pak ditësh do të arrijmë t’i kryejmë të gjitha këto punë në mënyrë që të fillojmë edhe numërimin të këtyre kategorive dhe votave jashtë vendit”, u shpreh zëdhënësi i KQZ-së.

Sipas Elezit, aktualisht KQZ-ja nuk i ka të dhënat se sa persona me nevoja të veçanta e kanë shfrytëzuar të drejtën për të votuar ose sa është numri i votave me kusht, por që sipas tij këto të dhëna do bëhen të ditura pasi të mbarojë procedura e pranimit të materialit të ndjeshëm zgjedhor nga të gjitha komunat votuese në Kosovë.

loading…