Mbi 2700 raste e 16 viktima të reja nga koronavirusi për 24 orë në Gjermani

Instituti “Robert Koch”, organt kompetent për kontrollimin dhe parandalimin e sëmundjeve në Gjermani, ka bërë të ditur të shtunën se janë konfirmuar 2 mijë e 705 raste të reja të personave të infektuar me koronavirus vetëm gjatë 24 orëve të fundit.

Rastet e reja e kanë çuar në 16 mijë e 662 shifrën e përgjithshme të personave të infektuar, duke e futur Gjermaninë në grupin e vendeve evropiane që janë prekur më së shumti nga virusi i ri.

Në njoftim thuhet se 16 persona të infektuar kanë vdekur në 24 orët e fundit dhe kështu numri i përgjithëm i viktimave të virusit Covid-19 në Gjermani shkoi në 47, shkruan “Reuters”.

Pavarësisht rritjes së numrit të viktimave, Gjermania mbetet njëra ndër shtetet me shkallën më të ulët të vdekshëmrisë së të infektuarve me koronavirus.

Vendi më i prekur në Evropë vazhdon të mbetet Italia me mbi 620 të vdekur vetëm të premten, ndërsa numër i lartë i viktimave së fundi është shënuar edhe në Spanjë me mbi 300 të vdekur për 24 orë.

Qeveritë e shumë vendeve evropiane kanë marrë masa të gjera kundër përhapjes së virusit të ri, përfshirë mbylljen e kufijve, zbatimin e karantinave dhe ndërprerejn e fluturimeve.