“Drejtësi për të gjithë” është shoqata e themeluar muaj më parë, me iniciativën e vetë të mbijetuarës së torturës, drejtësi kjo për të cilën ajo nuk rreshti së kërkuari për 20 vjet. Por, që nuk e gëzoi asnjëherë. ‘Ambasadorja e Guximit’, Vasfije Krasniqi-Goodman, e cila në tetor 2018, gjeti forcën për të rrëfyer publikisht tmerrin e përjetuar 20 vjet më parë, përveç se u bë zë i gjithë viktimave të gjalla të luftës, përmes shoqatës së themeluar me iniciativë të saj, do ju del krahë gjithë atyre edhe në aspektin juridik.
Drejtori i kësaj shoqate, që është vëllai i saj, Nafi Krasniqi, në një intervistë për KosovaPress thotë se kjo shoqatë është kërkesë e vetë viktimave.
Në rastin e motrës së tij, Krasniqi thotë se kanë pasur një proces gjyqësor me shumë padrejtësi e pa përkrahje nga askush. Ai thotë se për kaq muaj sa kanë filluar punën në këtë shoqatë, kanë pasur edhe raste të reja të paraqitura.
Tregon se sa është numri i lëndëve që kanë grumbulluar gjatë këtyre muajve. Drejtësinë e mohuar që e përjetuan vetë, thotë se synojnë të mos ketë fatin ta përjetojnë edhe viktimat tjera.
Ai flet edhe për fotografinë e publikuar nga deputetja Flora Brovina ditë më parë në Kuvendin e Kosovës. “Duke qenë ne familjarët e viktimave, me të vërteta skena të atilla, skenat e llahtarshme në atë fotografi, fillimisht ne kemi menduar se është e vërtetë edhe ato pamje të llahtarshme kanë qenë me të vërtetë, neve na kanë bërë me u ndje keq. Viktimat asnjëherë nuk do donin të ktheheshi, me kujtu se çfarë ju ka ndodhur, e lëre më me pa fotografi të tillë. Po besoj që qëllimi i zonjës Brovina ka qenë qëllim që të shpaloset ajo se çfarë ka ndodhë në Kosovë. Për me arsyetu atë veprim, ajo më së miri e arsyeton vetë…. Flora do të jep shpjegimin vet, por ne asnjëherë nuk do ta vlerësojmë ndryshe veç se një veprim pak sa i ngutshëm, mirëpo ajo e vlerëson më së miri”, deklaron ai.
Ai thotë se një rast i tillë ka qenë një rikthim për viktimat, e sfidë edhe për familjarët e e të mbijetuarve.
Drejtori i shoqatës “Drejtësi për të gjithë”, shpreson se një ditë do të ketë drejtësi për të gjitha viktimat, duke përfshirë edhe motrën e tij, e cila u dhunua në moshën 16-vjeçare. Krasniqi u ka bërë thirrje të gjithë vëllezërve të viktimave, që të jenë krahë dhe mbështetje e tyre, në mënyrë që ato të ndihen heroina, ashtu edhe siç e vlerëson se janë.







