Pas shumë vende nëpër botë pak ditë më parë edhe Kosova iu bashkua vendimit për marrjen e vaksinës së tretë antiCOVID.

Ministria e Shëndetësisë mori vendim që të gjithë qytetarët të cilët duan dhe nga vaksinimi i mëhershëm nuk patën mjaftueshëm rezultate të shkojnë dhe të vaksinohen me dozën e tretë, apo dozën ndihmëse.

Në një përgjigje për lajmi,net nga Ministria e Shëndetësisë është bërë e ditur se brenda pak ditëve 2 mijë e 100 qytetarë janë vaksinuar me dozën e tretë të kësaj vaksine.

“Janë mbi 2100 që janë vaksinuar për 4-5 ditët e para me dozë përforcuese”, u tha në përgjigje.

Poashtu është bërë e ditur se doza e tretë e vaksinës mund të merret në të gjitha qendrat e vaksinimit.

“Kudo ku jepen vaksinat, si në qendrat e vaksinimit apo tek ekipet mobile”, u tha nga MSH-ja.

Ndër të tjerash është theksuar se ecuria e vaksinimit me dozën e tretë është duke ecur brenda pritjeve, pasi që sipas tyre dihet se kjo dozë është përforcuese.

Ndërsa në kuadër të gjithë vaksinimit, Ministria e Shëndetësisë në stok ka gjithsej rreth 400 mijë doza të vaksinës antiCOVID.

Kjo është thënë nga MSH-ja ku theksohet se kanë mjaftueshëm vaksina sa për t’iu përgjigjur çdo kërkese të vaksinimit.

“Mjaftueshëm për t’iu përgjigjur çdo kërkese për vaksinim. Afër 400.000”.

Ndër të tjerash është thënë se Ministria e Shëndetësisë ka ende vaksina të kontraktuara.

“Nëse ka nevojë mund të blihen edhe të tjera, nevojat i vlerëson Komisioni për vlerësim dhe negocimi të vaksinave kundër COVID-19”, u theksua nga ministria.

Ndryshe në Kosovë janë dy lloje të vaksinave antiCOVID të cilat u jepen qytetarëve që duan të vaksinohen.

Lloji Pfizer si dhe lloji Astrazeneca.

Në kuadër të vaksinimit deri më tani në gjithë vendin janë vaksinuar 1.647.674 qytetarë, ndërsa në 24 orët e fundit janë konfirmuar edhe tetë raste të reja me COVID-19.

Për dallim nga shumë shtete të botës të cilët muajve të fundit kanë patur rritje të numrit të të infektuarve dhe viktimave nga ky virus në Kosovë situata ka qenë mjaftë e qetë.

Për disa muaj me radhë pati rënie të rasteve me koronavirus, ndërsa masat antiCOVID kanë vazhduar të mbeten aktive.

Madje janë Shoqata e Gastronomëve dhe ajo e Hotelerisë të cilët kanë paralajmëruar një protestë para objektit të Qeverisë së Kosovës ditën e enjte.

Të njëjtit kanë kërkuar lehtësimin e masave antiCOVID për shërbimin në kuadër të lokaleve, duke thënë se po u pamundësohet puna duke pas parasysh edhe humbjet që patën gjatë vitit të kaluar dhe këtë vit.