Mbi 13 mijë aplikime për shtesa të fëmijëve e mbi 11 mijë për lehonat

Qeveria e Kosovës ka ndarë shtatë milionë euro për shtesa të fëmijëve deri në 16 vjeç dhe për nënat lehona.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se deri tani janë regjistruar mbi 13 mijë aplikime për shtesa për fëmijë dhe mbi 11 mijë për lehonat.

“Filluam me zbatimin e masës 3.5 për mbështetje për lehonat dhe shtesat për fëmijë – mbi 13 mijë aplikime, janë regjistruar edhe mbi 11 mijë për lehonat dhe 1 679 shtesa për fëmijë”, ka thënë Kurti gjatë një konference.

Aplikimi për këto shtesa është hapur më 11 shtator.

Po ashtu ky vendim parasheh përfshirjen edhe të lehonave të punësuara, krahas atyre të papuna, për mbështetje financiare, që do të ofrohet nga Qeveria, me qëllim të fuqizimit të mëtutjeshëm të grave në tregun e punës.

Ndaj këtij vendimi ka shprehur pakënaqësi organizata QIKA, sepse, sipas saj, ky vendim është antifeminist, pasi e shfaq mentalitetin diskriminues se kujdesi ndaj fëmijëve është obligim vetëm i grave.

Po ashtu, siç thonë ata, ky vendim nuk përfshin prindërit që adoptojnë fëmijë.