Deputetët e Kosovës
Mbi 120 projektligje presin miratimin e deputetëve “dembelë“
Kuvendi i Kosovës do të tentojë që këtë javë t’u kthehet punimeve të rregullta me agjendë të stërngarkuar.
Njëzet e pesë pika të rendit të ditës do të jenë në vazhdimin e seancës plenare të mbetur në gjysmë para tri jave. Po të hënën Kryesia do të vendosë për një tjetër seancë me 44 pika të rendit të ditës.
Në mesin e tyre janë edhe projektligjet që kanë të bëjnë me shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, pika e vetme që ka bërë bashkë partitë në pushtet dhe opozitën.
Janë mbushur tri javë qëkur kryeparlamentari Kadri Veseli ka ndërprerë punimet e Kuvendit, për shkak të mungesës së kuorumit. Për pasojë, një sërë ligjesh presin vetëm votën e deputetëve.
Nga 170 projektligje të parapara, janë miratuar vetëm 46 prej tyre. Në procedurë janë 71, ndërsa në pritje janë 53 projektligje të tjera./Kohës Ditore/