Aeroporti i Prishtinës

Mbi 10 mijë udhëtarë më shumë në tri ditët e para të janarit në Aeroportin e Prishtinës, krahasuar me vitin e kaluar

Në tri ditët e para të janarit të këtij viti përmes Aeroportit të Prishtinës “Adem Jashari” kanë udhëtuar mbi 10 mijë udhëtarë më shumë, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit kaluar.

Kështu ka bërë të ditur në një prononcim për Telegrafin, zëdhënësja e Aeroportit, Valentina Gara.

“Në tri ditët e para të janarit 2023 përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’ kanë udhëtuar gjithsej 20 mijë e 163 udhëtarë. Ndërkaq, në tri ditët e para të janarit 2024 kanë udhëtuar 31 mijë e 905 udhëtarë”, ka thënë Gara.

Ajo tutje ka bërë të ditur se vitin 2023 e kanë përmbyllur me mbi 3.4 milionë udhëtarë.

Ndërkaq, ka shtuar se destinacionet që janë shtuar këtë vit janë Luksemburgu, Riga dhe Izmiri.

Ndryshe, qytetarët e Kosovës kanë filluar të udhëtojnë drejt vendeve të Bashkimit Evropian, pasi që më 1 janar filloi zbatimi i vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Ata mund të udhëtojnë pa viza në 27 shtetet e zonës Schengen – duke përjashtuar Spanjën që nuk e njeh pavarësinë e as pasaportën e Kosovës.